Ceremonia në nder të nëntetares Zarife Hasanaj

20:01 | 10 Maj 2019
Arbresh.info

Me nderimet më të larta shtetërore e ushtarake, këtë të premte të shpallur ditë zije, iu dha lamtumira e fundit nëntetares Zarife Hasanaj, e cila humbi jetën gjatë një misioni në Letoni.

Me dhimbje, familjarë, miq e kolegë, drejtues të shtetit e ushtrisë dhe qytetarë nga gjithë Shqipëria, u përulën para arkmortit të dëshmores më të re të atdheut.

Krerët e Shtetit e të ushtrisë, vlerësuan figurën e nëntetares.

“Është mishërimi i sakrificës për institucionet shtetërore dhe angazhimit në Nato”, tha Presidenti Ilir Meta.

“Ikja e saj është dëshmi e së vërtetës tronditëse ndaj sakrificës për atdheun që e rikrijojnë çdo ditë vajzat e djemë e FA”, shtoi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka shtoi: “Humbëm një nga më të mirat që kishim do ta kemi të vështirë ta zëvendësojmë.”

“Humbëm një ushtare krenare, të bukur, fisnike. Ne koleget e saj, ndiejmë zërin e saj që na flet, kokën dhe zërin lart per dinjitetin e kombit. Do vazhdojmë të jemi në krye të aleancës, ku na e la vendin me nder Zarifja jone”, tha Bardhyl Kollçaku, Shefi i Shtabit të FA.

I mbuluar me flamurin kombëtar, arkmorti i dëshmores u drejtua për në varrezat e dëshmorëve të kombit. Në varrezat e dëshmorëve, familjarëve të nëntetares, iu dorëzua edhe dekorata e dëshmores së atdheut. Për herë të parë në 11 vite në Forcat e Armatosura, nëntetarja Zarife Hasanaj, nuk ju përgjigj apelit./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme