Çdo metër tokë në vend me 1 kontrollor nga shteti

08:10 | 4 Mars 2017
Arbresh.info

Në planin e ri kombëtar për të luftuar kanabisin, shpallur dje nga Kryeministri Edi Rama, këtë radhë janë përfshirë të gjitha strukturat e shtetit, jo vetëm Policia.

Rama tha se “Policia e Shtetit do ketë të gjitha shërbimet inteligjente, përfshirë dhe Shërbimin Inteligjent të Ushtrisë, do të ketë edhe gjithë strukturat e bujqësisë, të mjedisit, të shëndetësisë, të pushtetit vendor e me radhë.

Është shumë e thjeshtë. Çdo parcelë do ketë persona përgjegjës nga Policia e Shtetit, nga komuniteti, nga agjencitë e tjera ligjzbatuese, ku edhe Shërbimi Informativ Kombëtar do të luajë padiskutim rolin e vet.

Personat përgjegjës do të përgjigjen në kohë reale për çka ndodh me parcelën apo parcelat që kanë nën mbikëqyrje. Në kohë reale, Policia e Shtetit dhe trupat e saj do të mund të reagojnë për ta shkatërruar në gjenezë çdo përpjekje për lartësimin deri mbi hijen time të bimëve e për sistemet e ujitjes, për korrjet, shirjet e për të gjitha këto.

Personat përgjegjës do përgjigjen personalisht, nëse parcelat do të konstatohen të mbjella dhe droga do të jetë kultivuar në këto parcela. Nuk do të jenë më pjesë e Policisë së Shtetit, nuk do të jenë më pjesë e strukturave shtetërore të përfshira në këtë operacion dhe do të jetë një çështje e prokurorisë dhe gjykatës, nëse fakti që ata nuk dhanë informacion vinte nga padijenia, apo nga bashkëpunimi me kriminelët.

Shqipëria nuk është një territor i pafund, është një vend i vogël. Sot, Policia e Shtetit ka një kapacitet maksimal për ta kontrolluar këtë territor, metër për metër e centimetër për centimetër katror.”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme