Çdo dy ditë në Shqipëri vidhet një makinë

07:36 | 19 Mars 2022
Trina Galanxhi

Vjedhjet e makinave janë kthyer në “sportin” e preferuar të hajdutëve pasi çdo dy ditë në vendin tonë vidhet një makinë.

Hajdutët kanë në shënjestër të tyre makinat e luksit dhe Tirana është qyteti me numrin më të lartë të vjedhjeve. Vetëm në vitin 2021 janë denoncuar 194 mjete të vjedhura, mes tyre automjete dhe motoçikleta të shtrenjtë. Por ky ritëm i lartë nuk ka ndryshuar as në dy muajt e parë të këtij viti. Sipas “ReportTv” vetëm në muajin janar-shkurt 37 makina janë denoncuara si të vjedhura. Hajdutët e kanë rritur profesionalizmin e tyre pasi nuk lënë gjurmë dhe policët e kanë më të vështirë t’i identifikojnë.

Vjedhja e makinave ndahet në dy kategori sipas policisë: për t’u shitur për pjesë këmbimi dhe për t’u përdorur për atentate. Makina që u përdor në atentatin e 4 janarit ku mbeti i vrarë Erion Çela, rezultoi e vjedhur. E vjedhur ishte edhe makina e Astirit ku mbetën të vdekur Erigers Mihasi e Armand Dumani, apo në atentatet të tjera në Vlorë, Elbasan dhe Shkodër.

Por si vidhen makinat dhe ku janë zonat kryesore?

Zonat e pandriçuara mirë dhe ato që nuk survejohen nga kamerat janë të preferuarat e hajdutëve, por ka raste kur grabitjet ndodhin edhe në zona të populluara. Tirana dhe Durrësi mbajnë numrin më të lartë të rasteve, ndikuar edhe nga fluksi më i madh i lëvizjeve. Ndërkohë gjatë verës kur kthehen emigrantët dhe lëvizin shumë turista numri i vjedhjeve të makinave shtohet shumë e bashkë me to edhe denoncimet. Ekspertët e grupeve të hetimit kanë zbuluar se grupet e hajdutëve “punojnë” me zona të veçanta dhe se nuk mund të vjedhin në lagje apo qytet tjetër./JOQ

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme