Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, vlerëson Deklaratën e Zagrebit dhe dimensionet e reja të bashkëpunimit politik dhe ekonomik të BE me Ballkanin Perëndimor.
Deutsche Welle: A i plotësoi pritshmëritë tuaja Deklarata e Zagrebit, në përfundim të samitit BE- BP, të zhvilluar këtë javë, (6.05.2020) në Zagreb, përmes një video konference?
Gent Cakaj:Rezultati përfundimtar i Samitit të Zagrebit duhet parë në konteksin e gjendjes së jashtëzakonshme nga pandemia COVID-19. Në thelb të këtij Samiti është bashkërendimi i veprimeve mes BE-së dhe BP në luftën kundër virusit COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomiko-shoqërore. Mbështetja e BE-së për rajonin në përgjithësi dhe Shqipërinë në veçanti është jashtëzakonisht e vyer.
DW: A mund të tregoni nga se përbëhet kjo mbështetje?
Gent Cakaj: BE ka mobilizuar menjëherë një paketë prej 3.3 miliardë Euro për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor në luftën kundër pandemisë dhe menaxhimin e pasojave të saj. Kjo paketë përfshin mbështetje të konsiderueshme për sektorin shëndetësor dhe ekonomik dhe fondin e mbështetjes makro-financiare prej 750 milionë Euro si edhe atë të Bankës Evropiane për Investim prej 1.7 miliardë Euro. Në këtë kontekst, biseda e krerëve të BE dhe shteteve të BP, në video konferencën në fjalë, ishte jashtëzakonisht e dobishme. Për Shqipërinë, BE ka mobilizuar me shpejtësi 4 milionë Euro mbështetje për sektorin shëndetësor, tashmë të kontraktuara dhe është duke u përgatitur një paketë tjetër me 46 milionë Euro për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike, ndërkohë që mbështetja makro-financiare do të jetë prej 180 milionë Euro.
Përveꞔ sa më lart, Samiti online i Zagrebit ka edhe një dimension të thellë politik: BE edhe njëherë ka theksuar fuqishëm rëndësinë e hyrjes së BP në BE dhe është ndalur në disa ꞔështje të rëndësishme të procesit të integrimit europian si thellimi i bashkëpunimit në luftën kundër kërcënimeve hibride dhe sulmeve kibernetike prej disa aktorëve të tretë; mbylljen e çështjeve të hapura dypalëshe dhe nxitja e bashkëpunimit rajonal të fokusuar sidomos në bashkëpunimin ekonomik; mbështetja e reformave themelore veçanërisht atyre në sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe lirive e të drejtave themelore. Mendoj që në rrethanat e jashtëzakonshme të pandemisë, Samiti i Zagrebit ka një rëndësi të padiskutueshme.
DW: A nuk prisnit, gjithsesi, të merrej një vendim i ri, e kam fjalën të jepej një datë se kur mund të hapen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?
Gent Cakaj: Së pari duhet të vë në dukje që Presidenca Kroate e Këshillit të BE-së, me vendimin për hapjen e këtyre negociatave, ka arritur një sukses të madh lidhur me politikat e zgjerimit të BE. Pas shumë dyshimeve, të shfaqura vitet e fundit, lidhur me përkushtimin e BE-së në procesin e zgjerimit, ky vendim shërben si një dëshmi më shumë se angazhimi i BE në BP mbetet thelbësor dhe procesi i zgjerimit është funksional. Nga ky këndvështrim, hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është në fakt, jo vetëm një lajm i madh për dy vendet, por për gjithë BP. Ndërkohë, caktimi i një date konkrete për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare ka qënë i pamundur për dy arsye themelore. E para, pandemia COVID-19 ende nuk ka kaluar dhe puna e komunikimi institucional është duke u zhvilluar me kufizimet që kjo pandemi ka imponuar. Vazhdojmë të jemi në kushtet e një bllokade pothuajse të plotë.
Në këto kushte prioriteti themelor i Samitit të Zagrebit ka qenë bashkërendimi i veprimeve për të mposhtur virusin corona. E dyta është që vendimi për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqiperinë dhe Maqedoninë e Veriut do të merret pas paraqitjes së kornizës së negociimit nga Komisioni Europian, (KE) muajin e ardhshëm, në qershor, kur do të publikohet edhe raporti i KE për progresin e dy vendeve, sidomos në fushat e përcaktuara në konkluzionet e Këshillit Europian, në mars 2020.
Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që procesi i negociatave të anëtarësimit mes BE dhe Shqipërisë nuk mund të fillojë pa zhvillimin e Konferencës së Parë-Ndërqeveritare. Faza e parë pas vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE është përgatitja e kornizës negociuese dhe puna në procesin e ‘screening’, që po vazhdon në bashkëpunim të ngushtë me KE. Në këtë kontekst dëshëroj të përmend faktin kuptimplotë që Shqipërisë i është mundësuar zyrtarisht qasja në Fondin e Solidaritetit të BE-së, si vend negociues për anëtarësim.
DW: Presidentja e KE, politikanja gjermane Ursula von der Leyen, bëri thirrje pas Deklaratës së Zagrebit, për të zbatuar reformat, sidomos në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e lirisë së mediave. Çfarë po bëhet konkretisht në këto 3 drejtime?
Gent Cakaj: Procesi i anëtarësimit në BE është, mes tjerash, një instrument më shumë në shërbim të reformave madhore që po kryhen në Shqipëri. Nisur nga përvoja historike e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, procesi i anëtarësimit në BE ka luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në transformimin e trashëgimisë së “Bllokut Lindor” në forcimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe vlerave themelore demokratike. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë vonuar në këtë proces për shkak të problemeve të brendshme dhe luftërave në ish-Jugosllavi.
Prandaj, përtej kontekstit gjeostrategjik, ku po përmend frenimin e ndikimit të aktorëve të tretë, rritjen e ndërlidhjes infrastrukturore, hapjes së horizonteve të reja në zhvillimin ekonomik, procesi i integrimit në BE mbetet një instrument i transformimeve demokratike dhe reformave institucionale të mëdha. Në këtë kuptim, synimi përfundimtar për anëtarësim në BE duhet parë përmes efekteve të reformave që vijnë nga vetë procesi i negocimit për anëtarësim. Në rastin e Shqipërisë, përveç mbështetjes së vazhdueshme teknike që ka dhënë BE, incentiva politike për çeljen e negociatave tashmë ka dhënë rezultate të pashembullta brenda një kohe relativisht të shkurtër.
Kjo nuk është thjesht një përshtypje subjektive, por një e vërtetë objektive e dokumentuar edhe në tre raportet e fundit të KE për Shqipërinë. Mjafton të sjell në vëmendje daljen nga sistemi i drejtësisë i 90 gjyqtarëve dhe prokurorëve nga procesi i vetingut, deklaratat e Guardia di Finanza për efikasitetin e bashkëpunimit me palën shqiptare në shkatërrimin e fushave të mbjellura me kanabis, të identifikuara prej vetë Guardia di Finanza, nivelin e lartë në konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar, në sajë të Operacionit “Forca e Ligjit”, frenimin e emigracionit të parregullt dhe uljen e numrit të azilkërkuesve në Evropë për të kuptuar se ꞔfarë nxitje dha vendimi për hapjen e negociatave.
Jemi në prag të përfundimit të reformës elektorale, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ ODHIR, po vijon puna për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë duke plotësuar vendet vakante të gjykatësve, nga dalja prej sistemit prej vetingut. Vënia në dukje e rëndësisë së reformave, së fundi nga Presidentja e KE, Ursula von der Leyen dhe politikanë të lartë të BE mbetet politikisht e mirëpritur dhe e institucionalisht në shërbim të transformimit të mëtejshëm të Shqipërisë.
Kurti: Mbrojtja e burimeve ujore dhe rritja e kapaciteteve t...
FIFA pajtohet me vendimin e Arabisë Saudite për të ndaluar a...
Aliu: Trafiku ajror në Prishtinë funksionon pa ndërprerje fa...
Schnetzer: Austria vazhdon të jetë investitori i pestë më i ...
Putin: Jemi gati për “duel” raketor me SHBA
Cana: UEFA nuk duhet të na linte në grup me Serbinë