Bushati: Thaçi nën akuzë, një lojë politike dhe një bast i humbur

17:56 | 24 Qershor 2020
A. B.

Ngritja e akuzës së Gjykatës Speciale ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, vetëm tre ditë përpara se ai të shkojë si përfaqësues i shqiptarëve në dialogun me Serbinë, në Shtëpinë e Bardhë, nuk ka se si mos të japë shijen e një kurthi politik. Ajo e bën kreun e shtetit të udhëtojë i telendisur drejt Uashingtonit, ashtu sikurse një rob lufte që e marrin zvarrë për të nënshkruar kapitullimin. Ajo i bën dëm forcës negociuse e Kosovës dhe e shndërron në qesharak, “damën e shoqërimit”, që Thaçi do të tërheqë nga pas, në takimin me Grenellin, Vuçiçin dhe Bernabiçin.

Asnjë shtet serioz në botë nuk do të donte të kishte si kryetar të delegacionit që do të nënshkruante marëveshjen e tij më të rëndësishme një person që akuzohet përmbi 100 vrasje. Asnjë komb nuk do të donte që të përballej me agresorin e tij gjakatar, duke u përfaqësuar nga një njeri që dyshohet për krime kundër njerëzimit.

Por, pikërisht fakti se kjo pozitë është e rëndë dhe pikërisht se kjo akuzë ra nga qielli fiks tani, e bën atë të dyshimtë. Edhe nga ana teknike, shpjegimi i Hagës, se po e hedh këtë hap, pasi Thaçi, Veseli, dhe Haradinaj kanë bërë përpjekje për tiu shmangur drejtësisë, duke anulluar në parlament ligjin për Gjykatën speciale, nuk qëndron. Kjo tentativë është dy vjet e gjysëm e vjetër, dhe nëse specialja ndihej e rezikuar prej saj, ajo duhej ta kishte ngritur me kohë akuzën.

Prandaj mendimi i parë që të vjen në mendje ka të bëjë me lojra që e tejkalojnë mandatin e drejtësisë së pastër dhe skrupuloze. Nuk është çudi që qarqe pro vendeve të fuqishme europiane, të fshihen pas kësaj lëvizjeje të papritur.

Dhe nëse është kështu, konkluzionet që mund të nxirren janë dy: E para se sot besimi tek drejetësia ndërkombëtare dhe Gjykata e Hagës, ka marrë jë goditje të rëndë. Ky akt ka shtuar dyshimet se pretendimet e gjithë konspiracionistëve, nga Beogradi në Zagreb, që kanë sjellë me qindra shembuj se ajo përdoret thjeshtë si mashë e diplomacisë politike, nuk janë krejt të pabaza.

Së dyti, ajo është një mësim i mirë edhe për vetë viktimën e saj të sotme. Që kur dolën në skenë pretendimet e Dik Martit, Hashim Thaçi ka pasur vetëm një obsesion: si ti shpëtojë një akuze të mundshme për krime lufte. Pikërisht për këtë ai u ngjit në presidencë, pikërisht për këtë (siç dëshmoi edhe letërkëmbimi me Pompeon) ai komplotoi për shfuqizimin e ligjit të speciales për të cilin flet sot komunikata e Hagës.

Mbi të gjitha, ky makth e bëri atë të futej në aventurat për shkëmbimin e territoreve me Vuçiçin, duke vënë bast me shpresën se sa më shumë të shfaqej si faktor rajonal, aq më tepër do ta largonte kërcënimin penal.

Analiza/ Kur Rama vizatonte harta me ndryshim kufijsh

Një leximi i thjeshtë i gjithë qëndrimeve të Hashim Thaçit të bën të kuptosh se ai vuri edhe një bast mbi bast. Se këtë punë ai do ta zgjidhte me SHBA. Kështu shpjegohen edhe qëndrimet e tij të fundit, cinike dhe arrogante ndaj BE-së, injorimet që i bëri Lajçakut dhe talljet që i adresoi Borellit duke e cilësuar si mik të Albin Kurtit. E ky ndoshta qe dhe fati i tij i keq, ai kërkoi ti shpëtojë akuzave të Hagës duke luajtur ndërmjet të mëdhenjve, por pikërisht kjo lojë ia shpejtoi atë që kërkoi të shmangte. Ai tregoi edhe njëherë me shembullin e tij, se as drejtësia ndërkombëtare nuk është krejtësisht e kulluar, por se ndryshe nga ç’imagjinoi ai, fijet e saj nuk i luajnë dot të vegjlit. /lapsi.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme