Google ADS

Burri godet me thikë gruan: Nuk po kujdesesh për mua

08:44 | 10 Mars 2017
Arbresh.info

Një krim në familje ka ndodhur paraditen e së enjtes në qytetin e Patosit, ku një burrë ka plagosur me thikë bashkëshorten e tij.Siç bëhet e ditur nga burime të Policisë, rreth orës 10:05 të paradites së djeshme, Arben Hoxha, 53 vjeç, në banesën e tij ka goditur me thikë bashkëshorten e vet, L. Hoxha, 52 vjeçe.

Ngjarja është shënuar në fshatin Kuqar të Patosit, kur burrë e grua kanë qenë të vetëm në shtëpi. Mësohet se pasi kanë bërë debat, për shkak se burri shfaqej nervoz gjithë mëngjesin, situata ka precipituar, ndërsa 53- vjeçari ka marrë thikën e bukës dhe e ka goditur disa herë në trup gruan e tij.Edhe pse nuk jepen shumë detaje rreth shkaqeve të konfliktit, gruaja i ka thënë policisë se nuk duhej shumë që në shtëpi të shpërthente sherri për shkak se i shoqi ngrinte zërin duke thënë se po e lodhte kjo gjendje e tij shëndetësore.

“Ishte i lodhur e i trembur nga sëmundja dhe bërtiste pa shkak”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera gruaja. Edhe e enjtja ka nisur me të njëjtën arsye për t’u përfshirë në debat dhe kur e ka parë që e shoqja nuk i ka kthyer përgjigje dhimbjes së tij, të cilën e ka shfryrë duke bërtitur, burri e ka akuzuar atë se nuk i kushtonte vëmendje kur ai ishte duke folur.

Veprimi i tij ka qenë i shpejtë dhe i befasishëm, duke mos i lënë kohë gruas të mbrohet. Mësohet se ai e ka goditur dy herë në pjesën e shpatullës, ndërsa gruaja është përpjekur ta ndërgjegjësojë për veprimin, teksa kërkonte ndihmë nga fqinjët, raporton Panorama.

Këta të fundit pasi kanë dëgjuar zhurmat dhe thirrjet për ndihmë të gruas së dhunuar, kanë ndërhyrë për të shuar konfliktin si dhe kanë nisur gruan me urgjencë në Spitalin e Fierit. E plagosura, falë ndërhyrjes në kohë të mjekëve, është e stabilizuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Arben Hoxha prej dy vjetësh vuan nga një sëmundje e rëndë për të cilën prej 4 muajsh po ndjek seanca kimioterapie. Gjithçka ka ndodhur në një gjendje të rënduar psikologjike të tij, i cili kishte kohë që shfaqte probleme nervore momentale për shkak të gjendjes shëndetësore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme