Google ADS

Burgu i Burrelit ku mbahen kokat e krimit, policia kap dronin që tentoi të fuste sende të paligjshme

22:44 | 8 Shtator 2024
E.G

Grupet kriminale po tentojnë të përdorin dronë për të futur në burgjet e sigurisë së lartë sende të paligjshme, si dhe për të mbledhur informacione për mënyrën e funksionimit të sistemit të ruajtjes së burgjeve me qëllim hartimin e planeve dhe për mundësinë e ndonjë arratisje.

Policia e Burgjeve bëri të ditur se në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, ku mbahen disa figura të njohura të botës së krimit të akuzuar për vrasje dhe krime të tjera të rënda, që kanë mbi supe dënime të gjata, deri dhe me burgim të përjetshëm, është tentuar që nëpërmjet një droni të futen sende të paligjshme.

“Inteligjenca operative e sistemit ka administruar të dhëna të besueshme mbi planet e një grupi kriminal për të futur sende të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Burrel. Në përgjigje të kësaj, janë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke përdorur teknologji digjitale të avancuar, për të parandaluar çdo përpjekje për realizimin e qëllimeve të tyre kriminale.”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Sistemi i burgjeve shqiptare, sipas Policisë së Burgjeve, në bashkëpunim të ngushtë me organet ligj-zbatuese, ka treguar edhe një herë gatishmërinë dhe efikasitetin e tij të plotë në parandalimin e veprimtarive të paligjshme të grupeve të strukturuara kriminale.

Sipas policisë, përpjekjet e fundit për përdorimin e mjeteve fluturuese për qëllime të paligjshme janë neutralizuar në kohë reale.

“Droni i kapur nuk përmbante sende të ndaluara, por hetimet tregojnë një tendencë të grupeve kriminale për të marrë pamje nga brenda burgjeve të sigurisë së lartë, me qëllim mbledhjen e informacioneve për veprimtari të mëtejshme të paligjshme.

Aktualisht, pajisja fluturuese do t’i nënshtrohet ekspertimit daktiloskopik me qëllim identifikimin e gjurmëve papilare, dhe më pas ekspertimit kompjuterik për të identifikuar numrin IMEI dhe çdo informacion të administruar nga kjo pajisje. Po kryhen veprimet e para procedurale, dhe materialet përkatëse do të referohen në prokurorinë respektive.”, thuhet në njoftim.

Në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë, Policinë e Shtetit dhe strukturat e tjera inteligjente, mësohet se po punohet intensivisht për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve jashtë regjimit të burgut.

“Sistemi i burgjeve shqiptare mbetet i vendosur në ruajtjen e rendit dhe sigurisë së institucioneve të tij, duke përmirësuar vazhdimisht masat mbrojtëse dhe teknologjinë për të përballuar çdo kërcënim të mundshëm.”, njofton Policia e Burgjeve.

/rtsh.al/

Të ngjashme