Bukuritë i sjellin Shqipërisë fluks në rritje të turistëve

08:46 | 24 Korrik 2018
Arbresh.info

Shqipëria është një destinacion gjithnjë e më i preferuar i turistëve nga Evropa dhe veçanërisht nga Polonia. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave (INSTAT) në 6 muajt e parë të vitit 2018 janë regjistruar në pikat hyrëse të kufirit shtetëror rreth 1 919 504 shtetas të huaj.

Drejtoresha e INSTAT, Delina Ibrahimaj bëri me dije se, “numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë gjashtë muajve të parë është 1 919 504, duke u rritur me 9.1% më shumë se një vit më parë. Në qershor janë regjistruar 500 mijë turistë të huaj më shumë se një vit më parë. Duhet theksuar, se rritje të madhe kanë pasur turistët nga Polonia, ku në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë në Shqipëri kanë hyrë 7 mijë polakë më shumë.

Pra në shifra rezulton se gjatë këtij gjashtëmujori kanë hyrë 34,775 polakë, ndërsa një vit më parë, në 2017-ën kanë hyrë 27,508. Në qershor 2018, hyrjet e shtetasve të huaj janë rreth 5 mijë dhe është rritur 13,3 % krahasuar me qershorin 2017. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga hyrjet e shtetasve maqedonas me 58,3,% , polakë me 16,9 %, italianë me 5,6 % krahasuar me qershorin e 2017”,tha Ibrahimaj, transmeton atsh.

Sipas Drejtoreshës së INSTAT hyrja e polakëve në vend vjen për shkak dhe të zhvillimit dhe rritjes së ofertave gjithëvjetore.

“Turizmi gjithëvjetor po merr hov çdo vit e më shumë. Tashmë prej dy vitesh numri i turistëve polakë rezulton në rritje dhe kjo nuk është vetëm përgjatë sezonit veror, por përgjatë gjithë vitin, pasi ata veç turizmit bregdetar, kërkojnë dhe turizmin malor dhe format e tjera të turizmit”, tha ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme