Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, vlerësoi sot se nga një anëtare e re e NATO-s Shqipëria është sot një partnere e konsoliduar dhe e besueshme për sigurinë rajonale në Ballkanin Perëndimor.
Në një editorial të publikuar me rastin e datës 4 nëntor, Ditës kushtuar Forcave të Armatosura italiane, ambasadori Bucci vlerëson se hyrja e Shqipërisë në NATO shënoi një kthesë epokale dhe një ngjarje tejet simbolike jo vetëm për Shqipërinë dhe NATO-n, por edhe për vetë Italinë.
“Toka e Shqiponjave, në fakt, përveçse një nga vendet e para të Europës Juglindore që kishte paraqitur kandidaturën e saj për hyrjen në NATO, ishte shndërruar, në ekuilibrat gjeostrategjikë europianë, nga një element trazues i sigurisë në kontinent, siç kishte qenë në fund të viteve ‘90 pas kolapsit politiko-financiar, në një element stabilizues edhe jashtë kufijve europianë”, shkruan ambasadori.
Bucci thekson se “pranimi i Shqipërisë si anëtare e Aleancës në vitin 2009, përfaqësoi një sukses të rëndësishëm edhe për Italinë”. Sipas tij, “Shqipëria është, në fakt, për shkak të afërsisë gjeografike dhe lidhjeve historiko-kulturore, një partnere e rëndësishme, lidhja e së cilës me Perëndimin përkon plotësisht me interesin strategjik kombëtar italian”.
“Përvoja dhe njohuritë e fituara në stërvitje të ndryshme dhe manovra të përbashkëta shumëkombëshe, i kanë dhënë mundësi Shqipërisë të rritet në mënyrë të efektshme ndër vite për të arritur tërësinë e standardeve teknike dhe operacionale të kërkuara nga NATO. Së fundmi, në shtator 2022, në kuadër të një stërvitjeje të rëndësishme të quajtur “Biza-22”, Grup-Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë (Light Enfantry Battalion Group), që i përket Batalionit të 2-të të Këmbësorisë së Forcës Tokësore shqiptare – njësi operacionale që ishte certifikuar nga NATO në shtatorin e vitit 2018 – u deklarua Combat Ready nga një ekip i NATO-s sipas kritereve CREVAL (Combat Readiness EVALuation)”, shtoi ai.
Bucci informoi se aktualisht Forcat e Armatosura shqiptare numërojnë rreth 8 mijë efektivë dhe përbëhen kryesisht nga Forca Tokësore, që nuk ka as mjete të blinduara dhe as artileri, nga Forca Detare, e cila ka vetëm anije të patrullimit bregdetar, dhe nga Forca Ajrore, që aktualisht, ka vetëm helikopterë të lehtë transporti dhe varet tërësisht nga NATO për sa i përket mbrojtjes ajrore.
“Shqipëria, përkrahëse e një procesi kompleks të integrimit rajonal, është aktive në nisma të ndryshme bashkëpunimi për ruajtjen e sigurisë dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta paqeruajtëse, duke vënë ngahera në dukje dëshirën për të forcuar marrëdhëniet me vendet e rajonit ballkanik”, tha ai.
Ambasadori italian theksoi se në lidhje me Defence Cooperation Initiative (DECI), një nismë e udhëhequr nga Italia, me natyrë rajonale, që fokusohet në bashkëpunimin ndërmjet vendeve në zonën e Adriatikut dhe të Ballkanit (ku marrin pjesë Shqipëria, Austria, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia dhe Hungaria), kalimi i fundit i Shqipërisë nga statusi “vëzhgues” në “anëtar” ka sanksionuar hyrjen e saj përfundimtare, duke nënvizuar sot më shumë se kurrë përkatësinë e saj me vendosmëri, në vazhdën e zhvillimeve delikate gjeopolitike europiane.
“Shqipëria, që nga vitet ‘90, ka marrë pjesë në misione të ndryshme paqeruajtëse, si në kuadrin e NATO-s, OKB-së dhe BE-së: në shtator 1996, filloi misionin e parë në Bosnjë-Hercegovinë dhe, që prej asokohe, angazhimi i Shqipërisë jashtë kufirit është rritur, qoftë për nga numri i njerëzve që shërbejnë në këto misione, ashtu edhe të zonave operative. Numri i lartë i personelit të angazhuar në këto misione nga viti 1994 dhe deri në vitin 2021 (gjithsej më shumë se tetë mijë vetë) përbën një rezultat të një rëndësie të konsiderueshme, ku spikat prania e fortë në KFOR në raport me popullsinë kombëtare, komanda e së cilës, në muajin tetor 2022, i është besuar sërish Italisë””, shtoi ai.
Në përfundim, Bucci tha se “zona e Adriatikut, nga një terren i mundshëm konfrontimi midis blloqeve kundërshtare (siç ka qenë prej gjysmë shekulli, me Italinë, Greqinë dhe Turqinë që vepronin si një mburojë anti-sovjetike) po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një vend bashkëpunimi dhe shtytjeje të përbashkët drejt sigurisë, duke arkivuar përfundimisht ato nxitje lokaliste dhe atë proces të shpërbërjes së dhunshme të rendit shtetëror, i cili në vitet ‘90 kishte çuar në kolapsin e ish-Jugosllavisë”.
Në këtë kontekst, sipas tij, “inkuadrohet edhe ADRION, një nismë e rëndësishme për kohezionin ndërmjet vendeve të zonës Adriatiko-Joniane: “hapësira detare ku janë në lojë interesa gjeo-strategjike të rëndësishme dhe me peshë globale”. Me këto fjalë është shprehur Ministri i Mbrojtjes, Lorenzo Guerini, pikërisht një muaj më parë në Venecia, në hapjen e takimit ministror kushtuar temave të lidhura me këtë çështje. Kjo iniciativë, në nivelin më të lartë midis Italisë, Shqipërisë, Kroacisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë, përfaqëson një mjet politik dhe operacional shumëpalësh vendimtar për optimizimin e pranisë dhe aftësisë për të vepruar së bashku në këtë hapësirë rajonale europiane”.
Ambasadori thekson se “tashmë është gjithnjë e më e dukshme se agresioni rus kundër Ukrainës do të sjellë me vete sfida që lidhen me sigurinë globale dhe mbi të gjitha me atë të furnizimit me energji, pasojat e të cilit do të ndihen sigurisht edhe në të gjithë pellgun e Mesdheut”.
“Në vitet e ardhshme do të jetë e nevojshme të vazhdohet në rrugën e bashkëpunimit ushtarak rajonal që është ndërmarrë deri më tani me sukses, duke shkuar drejt mbrojtjes gjithnjë e më të madhe të objektivave të përbashkëta të sigurisë së BE-së dhe NATO-s. Në fakt, ka shumë sfida në këtë fushë, që nga mbrojtja kibernetike tek ajo nëndetare, një dimension i katërt për të cilin do të duhet të reflektohet dhe të veprohet menjëherë në mënyrë të plotë për të rritur aftësitë operacionale të nevojshme në përputhje dhe në respekt të përkatësisë së përbashkët si në Bashkimin Europian ashtu edhe në Aleancën Atlantike”, tha ai./ATSH/
“Ta dhashë një minutë shtesë”, përplasen Abazi e Bogujevci
Nurdin Ibishi pyetet për Enver Sekiraqën, del që ky i fundit...
Kështu festohet Halloween-i në Maldive
Abdixhiku ia “kujton” Kurtit premtimin për banesa për çiftet...
Gjatë këtij viti, 332 raste të reja me kancer të gjirit
Paraqitjet e shkëlqyer këtë sezon, Barcelona po e shpërblen ...