Majlinda Bregu, ish-ministre e Integrimit dhe zë kritik brenda Partisë Demokratike, ka reaguar pas letrës së Komisionerit Johannes Hahn për zgjedhjet e 18 qershorit.
Ajo e quan mesazhin e përçuar nga Hahn një kumt që i drejtohet direkt Partisë Demokratike.
“Johanes Hahn u dërgoi sot, me shqetësim të madh, shqiptarëve një kumt, që për të keq tonë i drejtohet, absolutisht, direkt Partisë Demokratike”, shkruan Bregu në Facebook.
“Kjo është letra më e trishtë që s’do doja të kishte mbërritur kurrë. Kjo ka qenë prej kohësh frika dhe arsyeja e vetme për të cilën kam folur e kërkuar që të paktën me veten e me miqtë të mos flisnim sikur i flisnim murit! Që as Europa e as Uashingtoni, por asnjë shqiptar me arsye të mos na e drejtonte gishtin duke na bërë me turp për vendimet që në fakt nuk u morën, as me diskutim, as me shqyrtim, as me parashikim nga demokratët, por nga kush nuk desh të dëgjojë. Ja ku jemi sot! Izolim!”, vijon Bregu.
“Pasi na foli e u përpoq të na bindë me gjuhë diplomatike e dashamirësi demokratike, me oferta e negociatorë, pasi ra në vesh të shurthët e kokëfortësi, Europa sot vendosi të na bjerë kokës: “Zgjedhjet e 18 qershorit do të zhvillohen pa pjesmarrjen e opozitës. Opozita aktuale, qëllimisht ka bojkotuar zgjedhjet. Demokracia nuk do të pengohet duke bojkotuar institucionet. Veprimet që dëmtojnë të drejtën e qytetarit për të votuar dhe liritë e tjera themelore janë të papranueshme”, shton ajo, duke cituar mesazhin e Hahn.
Bregu e cilëson këtë letër një të keqe të pamerituar për Partinë Demokratike dhe mbështetësit e saj.
“Është e pamerituar për të gjithë ata që e lanë rininë e tyre burgjeve të regjimit komunist vetëm pse donin Europën, e dolën me thinjat e pritjes për ta shijuar më në fund atë. Është i papranueshëm ky qëndrim për të gjithë ata burra e gra që u vranë pa gjyq, pse guxuan të mendonin ndryshe. Është e pamerituar për të rinjtë që po mbeten ende në udhëkryq e për të gjithë ata punonjës të institucioneve shqiptare, që kanë punuar ndër vite, ore e pa orë, për ta afruar Shqipërinë me Europën me të gjitha standartet që kërkon ajo”, thotë ajo.
Sipas Bregut, Europa sot e drejtoi gishtin nga PD-ja, por u bën thirrje shqiptarëve, duke nënkutpuar këtu të gjithë demokratëve, të mos bien në të njëjtën humnerë me të.
“Nuk qaj hallin as të kryetarit të PD -se as të ndokujt tjetër që nuk e ndali dot, këtë shkarje, por të atyre qindra mijëra demokratëve që nuk e donin PD-në rrugëve. Kryetari e deshi PD-në në çadër e jo në Parlament; në mosbindje civile e jo në zgjedhje! U gëzua nga e ashtuqujtura “fitore e Kavajës”, që veç si e tillë s’duhej festuar asnjëherë”, thotë deputetja e PD.
“Ikja nga beteja për asnjë arsye nuk është rezistencë ndaj kësaj maxhorance të frikshme, as përballje me Edi Ramen, por dorëzim para të keqes që ka zaptuar të përditshmen e shqiptarëve, duke i dhënë një pushtet të pakufizuar të vetmit që pushtetin e lakmon dhe me të tallet. Parlamenti i nesërm do të jetë i pari në 27 vjet ku “demokracia” do të përdoret për të çrrënjosur demokracinë! Dhe jo vetëm s’do ketë pikë vullneti të luftojë drogën e krimin, por përkundrazi rrezikon ta çojë Shqipërinë drejt presidencializmit turk”, vijon ajo.
Bregu thotë se ka vetëm një rrugë për të mos e lejuar rëndimin e fatit të shqiptarëve dhe copëtimin vetëshkatërrues të PD –së: kurajo e shpresë e të gjithë demokratëve, për të rindërtuar partinë që sot përballet pamerituar, me dilemën të jesh, a të mos jesh!
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...