Bregu: Do doja që asnjë Ambasador të mos angazhohej kaq fuqimisht

00:12 | 17 Shkurt 2017
Trina Galanxhi

Deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë Majlinda Bregu, ish-kryetare e Komisionit të Integrimit në Kuvend thotë se reforma në drejtësi nuk është thjesht për të ndryshuar Kushtetutën dhe një ligj, por është reformë për të ndryshuar kulturën e pandëshkueshmërisë.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, deputetja e Partisë Demokratike tha se reforma do të jetë e gjatë dhe me kosto, por do të jetë absolutisht reforma më e rëndësishme e shtetit shqiptar që nga formimi i tij.

Duke folur për debatin mbi rolin e Ambasadorëve, zonja Bregu tha se është vetë politikanët shqiptarë kanë krijuar një situatë të tillë që e bën të nevojshëm rolin që ata po luajnë.

Përsa u takon zgjedhjeve të këtij viti, zonja Bregu tha se opozita ka të drejtë të kërkojë proces brenda standardeve.

Zëri i Amerikës: Zonja Bregu, dje Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për Shqipërinë ku vlerësohej përparimi i bërë dhe vihej theksi të zbatimi i reformës në Drejtësi me rivlerësimin e të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve aktualë, rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, me hetime e ndëshkime në nivele të larta, mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme në 18 Qershor 2017 dhe dekriminalizimi. Ju si e vlerësoni?

Majlinda Bregu: Në pikëpamjet e ngjarjes është një rezolutë që publikohet çdo vit, pra mbas publikimit të raportit të Komisionit Evropian, Parlamenti Evropian bën një rezolutë. Pra nga pikëpamja protokollare nuk është e re. Për sa i takon çështjeve të ngritura janë kryesisht po ato të ngritura edhe në raportin e Komisionit, por sigurisht që vihet theksi në atë që na pret dhe kemi përpara, tek periudha zgjedhore dhe tek zhvillimi i zgjedhjeve me standarde. Të gjithë elementët që ju përmendët unë i shoh të lidhura tërësisht me procesin zgjedhor në Shqipëri. Sepse lufta kundër krimit dhe zbatimi në frymë dhe në gërmë, thuhet edhe në rezolutë, i ligjit të dekrimininalizimit për shembull, është garanci. Një nga ato garanci që kanë qenë çështje dhe kauzë që opozita ngriti që në fillim, për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe ta monitorosh këtë proces do të jetë akoma edhe më e rëndësishme për të kuptuar se sa seriozë jemi ne me zbatimit e ligjit. Sepse mund të ndodhë që ne i largojmë njerëzit problematikë dhe të kriminalizuar nga dera por hyjnë nga dritarja.

Zëri i Amerikës: Shqipëria e miratoi me konsensus Reformën në Drejtësi. Por duket se ky proces po has ende në pengesa. Së fundmi kemi patur shqetësim të shprehur nga dy ministra të LSI-së për Bordin e Menaxhimit të Operacionit ndërkombëtar të monitorimit i cili sipas tyre është një mekanizëm jokushtetues. Në vlerësimin tuaj, a ka një kapërcim apo tejkalim të parashikimit kushtetues në këtë rast?

Majlinda Bregu: Në mendimin tim kushtetuta nuk mund të shkojë në të gjitha detajet sesi do të zbatohet logjistika e procesit të vetingut apo e operacionit ndërkombëtar të monitorimit. Në rast se bordi i ngritur nuk ka asnjë qëllim dhe sigurisht nuk do të bëjë sikurse është lajmëruar tashmë. Pra nuk do të jetë ai që do të bëjë zgjedhjen apo përzgjedhjen e kandidatëve dhe procesin e vetingut, por do të menaxhojë nga pikëpamja logjistike zgjedhjen e ekspertëve të akreditimit, mënyrën sesi do të funksionojnë në Shqipëri, si do të ndahen qoftë dhe nga pikëpamja financiare mardhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, pra partnerëve tanë, në këtë pikëpamje nuk shoh që të ketë asnjë shkelje kushtetuese. Megjithatë unë shpresoj shumë që letrat të cilat i janë adresuar edhe komisionerit z. Han të marrin një përgjigje nga pala evropiane. Për mua përsa kohë ky proces është një proces ku vendimin përfundimtar e ka parlamenti i Shqipërisë, shqiptarët dhe ne jemi vendimarrësit në të është një proces tërësisht legjitim.

Zëri i Amerikës: Ju jeni optimiste?

Majlinda Bregu: Unë dua të jem optimiste dhe vazhdoj të jem optimiste të besoj se pavarësisht se kjo do të jetë një reformë e gjatë dhe me kosto, nuk them kosto finaciare, por kryesisht emocionale, trembje, frikëra, tek ata të cilët i druhen reformës, kam përshtypjen që do të jetë një reformë absolutisht me e rëndësishmja e shtetit shqiptar të paktën që prej formimit të tij. Sepse nuk është reformë për të ndryshuar kushtetutën por kulturën e pandëshkueshmërisë që ka qenë prezente në Shqipëri. Dhe për ta luftuar atë, për ta ndryshuar këtë kulturë, kërkon shumë më tepër. Ngjall shqetësime, por sigurisht është dhe një proces më i sukseshmëm.

Zëri i Amerikës: Zonja Bregu në Shqipëri janë shtuar sulmet ndaj ambasadorit amerikan, me sa duket për shkak të rolit të tij në reformën në drejtësi. Ju si e shikoni këtë?

Të them të drejtën, personalisht nuk kam asnjë fetish për ambasadorët apo ndërkombëtarët në përgjithësi. Mendoj se shqiptarët dhe sigurisht dhe ata që janë politikanë në Shqipëri kanë aftësi të mjaftueshme për të vendosur, për të gjykuar dhe për të zgjedhur modelin më mirë të marrëveshjes apo të qeverisjes dhe për bërë kritika ndaj qeverisë.

Ambasadorët janë shumë të përfshirë në çështjet tona për faktin sepse i kemi lënë ne. Niveli i mosbesimit që ne kemi ndaj njëri-tjetrit, dëshira për të mbajtur lart frymën e “partizanit të madh politik” dhe për të ngushtuar urat e komunikimit dhe të konsensusit me njëri-tjetrin dhe të kompromisit politik për fatet e vendit, jo për rezultatin e një reforme, por për historinë e Shqipërisë dhe për atë që pritet, kjo i lë vend dhe hapësirë sigurisht më shumë edhe ambasadorëve. Pra për një gjë që e kemi bërë ne, që i kemi konsideruar ambasadorët si ndërmjetës mes nesh për të na bërë të flasim me njëri-tjetrin, në momentin e fundit pastaj më duket se këtu këto filmat me “diversantë apo njerëz që janë kundër Shqipërisë” është kohë e kaluar, që nuk duhet të zërë vend.

Zëri i Amerikës: Po në thelb nuk ka asgjë të keqe kur një ambasador angazhohet aktivisht për promovimin e një reforme kaq të rëndësishme…

Majlinda Bregu: Në thelb unë do doja që asnjë ambasador të mos angazhohej kaq fuqimisht por të mbështetej dhe të promovonte marrëdhëniet bilaterale ndërmjet vendit që përfaqëson dhe vendit ku ndodhet. Por realiteti në Shqipëri është ky dhe përsa kohë ka një front i cili bëhet bashkë për të bërë të zbatueshme një reformë, nuk mund të mos i themi faleminderit as Shteteve të Bashkuara dhe as Bashkimit Evropian që janë investitorët kryesorë, jo vetëm financiarisht por edhe në ekspertizë për këtë proces. Pra përsa kohë ne jemi ata që kemi nevojë për të shmangur këtë lloj problematike që ekziston me njëri-tjetrin, sigurisht që pa kaluar asnjë vijë të kuqe, siç quhet zakonisht, roli i ambasadorëve është i mirëpritur. E përsëris edhe një herë, nuk do të doja të ishte kështu, por ne e kemi krijuar këtë situatë.

Zëri i Amerikës: Zonja Bregu, t’i rikthehem pak çështjes së zgjedhjeve, Shqipëria po i afrohet zgjedhjeve pa një reformë që do të merrte parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Opozita ka paraqitur kërkesën e saj për votim dhe numërim elektronik që në muajin maj. Por duket se vetëm kohët e fundit e ka rritur presionin për këtë kërkesë, ndërkohë që OSBE-ja është shprehur se koha është e pamjaftueshme. C’ndodh nëse kjo kërkesë e juaj, nuk realizohet dhe më duket se nuk realizohet dot?

Majlinda Bregu: E para dua të them, kjo është hera e parë të paktën mesa mbaj mend unë dhe tashmë m’u bënë 12 vjet në politikë, që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në dy zgjedhje, si në zgjedhjet e 2013-ës dhe në zgjedhjet e 2015-ës, janë 53 rekomandime gjithsej sot, nuk janë adresuar. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të të gjitha zgjedhjeve përfshirë ato të 2011-ës të zgjedhjeve lokale deri pastaj kur mbërritëm në ato të 2013-ës, kanë qenë gjithmonë subjekt i miratimit me konsensus, shumica e rekomandimeve, të komisioneve të përbashkëta parlamentare.

Është hera e pare që nuk është vënë uji në zjarr, e thënë ndryshe, me kohë për të zbatuar këto rekomandime. Sigurisht që ditët që kalojnë dhe çdo ditë që kalon, e bën më të pamundur plotësimin e rekomandimeve plotësisht për arsye fizike. Por, dhe nuk besoj se është shpikur ende një sistem që të të japë garanci se qoftë ai votim elektronik ose me letër, që zgjedhjet nuk vidhen, nuk manipulohen dhe vota nuk tjetërsohet. Por vullneti sigurisht i qeverisë që është në pushtet, duhet dhe kjo është përgjegjësia e saj, të realizojë zgjedhje brenda standardeve. Opozita ka të drejtë të kërkojë garanci për zgjedhje brenda standarteve. Ka të drejtë të kërkojë garanci në të cilat qytetarët të mos ndjehen të intimiduar; ka të drejtë të kërkojë garanci sepse jua thashë edhe pak më parë tek dekriminalizimi. Sot ke elementë që janë larguar nga skena politike por janë funksionarë në partinë politike. Sot një nga kandidatët që u largua nga dekriminalizimi që ishte kryetari i Bashkisë së Kavajës, po bën promovimin e kandidatit për deputet që është ministër aktual. Pra në rast se duam me të vërtetë që të jemi rigorozë me zbatimin e ligjit deri në fund dhe të japim garanci për zgjedhjet, unë besoj se ka ardhur koha për të dëgjuar dhe për të vendosur dhe për të marrë përsipër se si këto zgjedhje të jenë zgjedhje të mira. Nuk ka të bëjë vetëm me sistemin zgjedhor, e përsëris, as me llojin e votës, ka të bëjë me garancinë që qeveria duhet të japë, që nuk do të prekë votën e qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Zonja Bregu, më thoni ju lutem çfarë pret opozita nga protesta e së shtunës? A është sipas realiste kërkesa për largimin e qeverisë, kur vetëm pak muaj ndajnë nga zgjedhjet?

Majlinda Bregu: Kjo është detyra e opozitës, mund të kërkojë dhe të punojë për largimin e qeverisë qysh në ditën e pare që qeveria është në pushtet, nuk ka asgjë të keqe. Besoj se dhe shpresoj dhe uroj që kjo protestë të mos mbarojë në datën 18 por të jetë një lëvizje për të vendosur të parën dhe për të ngritur çështje të cilat qytetarët i kanë paraprirë edhe më mirë sesa opozita.

Zëri i Amerikës: A është opozita e sotme një alternativë e besueshme për të ardhur në pushtet sepse ka mjaft analistë që besojnë se në këto katër vite ajo nuk ka mundur të ofrojë një imazh të ri, se nuk ka bërë një analizë të plotë të gabimeve tëe saj megjithëse kanë kaluar disa vite tashmë, në 8 vitet e saj në qeverisjes pra, dhe se më së shumti kërkon të përfitojë nga zhgënjimi që njerëzit mund të kenë ndaj shumicës aktuale, se sa të ofrojë ajo vetë një alternative të re.

Majlinda Bregu: Asnjëra prej këtyre nuk është gabim politik, pra që një parti politike para se të vijë në pushtet kërkon të përfitojë sigurisht, ose të vendosë dhe të interpretojë zhgënjimin e njerëzve nuk është gabim poltik. Por për mua më e vështirë dhe më e rëndë në politikë, është të jesh naiv politik sesa të kërkosh, të marrësh gabime politike të cilat ndonjëherë ndoshta edhe mund të mos jenë 100 për qind të mira. E rëndësishme, dhe atë uroj, atë shpresoj dhe ajo duhet është që Partia Demokratike të vazhdojë të jetë parti kryesore politike në vend./VOA/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme