Google ADS

Borchardt: Vëzhgimi i zgjedhjeve të jetë i pavarur dhe profesional

13:45 | 9 Qershor 2017
Arbresh.info

Vëzhgimi i zgjedhjeve duhet të jetë i pavarur, i paanshëm dhe profesional. Kështu ka deklaruar kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt.

Në një konferencë me temë “Vëzhgimi i numërimit të votave nga vëzhguesit vendorë”, ai shtoi se vëzhguesit janë rojtarët e vërtetë që ndihmojnë në frenimin e mashtrimeve zgjedhore.

Sipas Borchardt, OSBE e mbështet fuqishëm pjesëmarrjen qytetare në proceset demokratike. Ai shton se vëzhgimi i zgjedhjeve është një prej shumë aspekteve të këtyre proceseve.

“Vëzhguesit zgjedhorë janë sytë dhe veshët e publikut në proceset zgjedhore, rojtarët e vërtetë që ndihmojnë në frenimin e mashtrimeve zgjedhore dhe në identifikimin e parregullsive të procesit dhe që me vlerësimin e tyre përfundimtar rezultojnë në fund të jenë zëri i qytetarëve. Por, për ta arritur këtë, vëzhgimi i zgjedhjeve duhet të jetë vërtet i pavarur, i paanshëm dhe profesional”, vijon kryetari i Prezencës së OSBE-së.

Gjithashtu ambasadori Borchardt përgëzoi shoqërinë civile duke thënë se jabë forca shtytëse për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Më lejoni të përgëzoj të gjitha organizatat e shoqërisë civile të pranishme këtu sot që janë investuar me përpjekjet e tyre për të rritur ndërgjegjësimin rreth parregullsive në zgjedhje dhe për t’i bërë institucionet që të japin llogari. Ju jeni forca shtytëse për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Më erdhi mirë që mësova se OJQ-të i kanë akredituar tashmë vëzhguesit e tyre për zgjedhjet e 25 qershorit. Shpresoj që me ta të bashkohen edhe të tjerë vëzhgues vendorë në ditët në vijim”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme