Bllokadë, drogë e skandale në 365-ditëshin e Shqipërisë

08:44 | 31 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Në vitin që e lamë pas shtetin fqinj Shqipërinë e karakterizuan shumë ngjarje duke filluar nga skandalet me kanabisin, përfshirja e ish ministrit të brendshme Saimir Tahiri në rrjetin e drogës dhe korrupsionit, zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet nacionale, formimi i Qeverisë, protestat e opozitës, bisedimet me BE-në e shumë ngjarje të tjera, shkruan arbresh.info.

Sipas një raporti të zyrës për Drogë dhe Krime të Kombeve të Bashkuara (UNDOC), në kuadër të Raportit Vjetor të Doganave 2017 Shqipëria rezulton si vendi që ka prevalencën vjetore më të lartë të përdorimit të kokainës në botë, duke i lënë pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Spanjën e Australinë.

Më poshtë keni disa prej ngjarjeve kryesore që ndodhën në Shqipëri muaj me radhë:

Shkurt

Me datën 18 shkurt Shqipëria ishte përfshirë në një ngërç politik ku Partia Demokratike e Shqipërisë  e kryesuar nga Lulzim Basha bashkë me strukturat e kësaj partie dhe me qytetarë të shumtë filluan protestat duke prekur shumë tema të ndryshme që i preokupojnë qytetarët e këtij vendi.

Kjo protestë ka zgjatur tre muaj dhe ka përfunduar me 18 maj pas marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës.

Prill

Më 19 prill vendoset për raundin e parë të zgjedhjes për Presidenti të ri të Shqipërisë, e lajmin e bëri të ditur ish kreu i Kuvendit Ilir Meta.

Me 28 prill, Meta zgjidhet President i Republikës së Shqipërisë në një seancë Kuvendi ku ishin të pranishëm 89 deputetë prej të cilëve, 87 votuan pro dhe 2 kundër.

Maj

Në muajin maj në Shqipëri, pas ngërçit politik që kishte nisur që prej datës 18 shkurt me nisjen e protestave të Partisë Demokratike dhe bllokimi i Reformës në Drejtësi, në Tiranë kanë ardhur 9nëntë kongresmenë amerikanë. Këta të fundit ishin takuar me pozitën dhe me opozitën, takim në të cilin morën pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dhe ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu.

Me 18 maj mazhoranca dhe opozita arritën marrëveshje politike pas më shumë se tre orësh bisedime në mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës, Lulzim Basha.

Kjo marrëveshje është bazuar mbi paketën e propozuar nga “McAllister Plus”.

Partia Demokratike e Shqipërisë pajtohet të shkojë në zgjedhje parlamentare, pas 3 muajve protestë në çadra që i kishin vendosur para kryeministrisë, me kërkesën për të marrë garanci për zgjedhje të lira.

Me datën 13 maj kryetari i Partisë Demokratike e Shqipërisë, Lulzim Basha kishte filluar në mesditë protestat, ku në këtë protestë ishte në krye vetë ai, së bashku me bashkëshorten e tij dhe dy vajzat.

Po ashtu në këtë protestë ishin rreth 2700 vullnetarë të cilët do të krijonin një perimetër sigurie rreth protestës ku kishte edhe forca të shumta të Policisë së Shqipërisë.

Po këtë muaj kryeministri Edi Rama ka pranuar propozimet nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha për shtatë emrat e qeverisë së tij dhe i dërgoi për dekretim në Presidencë.

Qershor

Në muajin qershor ish-zëvendësministri i Brendshëm nga LSI, Ilir Marko akuzoi Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ku në motivacionin e shkarkimit thuhet: “Për shkelje të papranueshme të etikës zyrtare, në papajtueshmëri të plotë me detyrën e lartë që kryen dhe në shkelje të normave më elementare të komunikimit publik, urdhëroj shkarkimin nga posti i zv.ministrit të punëve të brendshme z.Ilir Marko”.

Gusht

Me 28 gusht Qeveria Rama 2 fillon punën, po ashtu në këtë qeveri do të jenë nëntë ministra më pak se mandati i parë i qeverisë, ku disa dikastere shkrihen njëra me tjetrën e disa të tjera nuk do ekzistojnë më.

Me 30 gusht Kuvendi i Shqipërisë pa prezencën e opozitës miratoi Ligjin e Vettingut me 88 vota pro dhe një abstenim.

Shtator

Me 19 shtator Shqipëria u përfshi nga një skandal droge në të cilin bënte pjesë edhe ish ministri i brendshëm, Saimir Tahiri.

Prokuroria e Krimeve të rënda kishte ngritur dy aktakuza ndaj ish ministrit të brendshëm, Saimir Tahirit  ku ky i fundit akuzohet për trafikim me narkotik të kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

Po ashtu edhe nga hetimet italiane, prokuroria dyshon se përfitime monetare kanë shkuar direkt tek ish-ministri i Brendshëm. Duke sqaruar dyshimet për akuzën e ngritur, Prokuroria ka futur në akuzë edhe përdorimin e automjetit Audi, që ish-ministri i Brendshëm ua kishte shitur Habilajve.

Tetor

Në muajin tetor kryeministri Edi Rama kishte vendosur që në qeverinë “ Rama 2”të jenë pjesë e kabinetit të tij qeveritar edhe katër kosovarë ku në mesin e tyre do të jenë zv ministre e Arsimit Besa Shahini, zv ministër i Mjedisit dhe Turizmit, Hajrullah Çeku, zv ministre e Shëndetësisë Ilirjana Bajraktari dhe zv ministre e Kulturës Valbona Shujaku.

Ngjarje e rëndësishme e shënuar në këtë muaj është ajo e  17 tetor kur u bë hapja e negociatave të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Ndërsa nga ana tjetër Qeveria shqiptare nga ana e saj ka kërkuar që zbatimi i reformës në drejtësi të bëhet përmes procesit të integrimit, pasi kapitujt që do të hapen të parët do të jenë 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës

Skandali më i përfolur i ish ministrit Saimir Tahirit ku me 17 tetor nga Gjykata e Katanias në dosjen prej më shumë se 400 faqe vulosi fatin e Moisi Habilajt dhe bandës së tij, po ashtu në këtë dosje përmendet edhe emri i ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Sipas gjykatësve dhe prokurorëve italianë, Habilaj përmend Tahirin si kushëririn e tij, dhe si mbështetës të veprimtarisë në shkëmbim edhe të parave për fushatë. Moisi Habilaj, bashkëpunëtorët e tij shqiptarë dhe italianë kanë tashmë një dosje prej 416 faqesh me fakte dhe biseda të përgjuara, ku ata përmendin emra dhe para dhe që është baza e vendimit të Gjykatës së Katanias për burgosjen e tyre./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme