Blendi Fevziu: Dështimi i Perëndimit në Afganistan do të ketë pasoja të mëdha

23:01 | 16 Gusht 2021
Trina Galanxhi

Gazetari Blendi Fevziu shprehet se Perëndimi ka dështuar në Afganistan dhe sipas tij pasojat e këtij dështimi do të jenë të mëdha.

Drejtuesi i emisionit “Opinion” në një intervistë për Klan News tha se tashmë e dimë se çfarë pritet të ndodh në këtë vend, pasi talebanët janë të njohur për atë që kanë bërë kur kanë qenë më herët në pushtet.

Fevziu tregoi dhe eksperiencën e tij në Afganistan gjatë vizitave që ka zhvilluar dhe tha se njerëzit i kanë treguar histori të tmerrshme se çfarë bëjnë talebanët.

“Unë kam qenë në Afganistan 2 herë. Por i kam ndjekur zhvillimet më parë. Rënia e Kabulit është njësoj si rënia në vitin 1996, në atë kohë qeveria që kishte lënë mbrapa Bashkimi Sovjetik e mbajti vendin dhe për disa vite. Hyrja e talebanëve në Kabul ishte një çështje që zgjati më pak se 10 ditë. Më kujtohet atëherë që gjëja e parë që talebanët bënë ishte varja e presidentit dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij në qendër të Kabulit për të treguar një shenjë hakmarrje.

Unë kam qenë dhe më pas në Kabul dhe njerëzit tregonin histori të frikshme. Natyrisht ky është një nga dështimet më të mëdha të demokracive perëndimore. Por diçka ishte e paralajmëruar, Afganistani ka mundur Perandorinë Britanike dhe më pas Bashkimin Sovjetik dhe tani ka detyruar Amerikën të largohet. Është një dështim i perëndimit, një dështim që do të ketë kosto të mëdha në të gjithë rajonin”, u shpreh gazetari./tvklan.al

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme