Bizneset e vogla, 36 mijë nuk kanë llogari bankare

09:48 | 9 Shkurt 2019
Arbresh.info

Rreth 40 për qind e biznesit të vogël, që bëjnë pjesë në fashën e xhiros nga 0 deri në 8 milionë lekë, nuk kanë të hapur një llogari bankare për lëvizjen e parave në veprimtarinë e tyre.

Konkluzioni ka dalë nga raporti i Bankës Botërore, por kjo është edhe një nga arsyet që Ministria e Financave të ndryshojë ligjin e procedurave tatimore, që detyron biznesin të hapë një llogari bankare. Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, deklaroi dje se synimi i këtij projektligji është të reduktojë qarkullimin e parasë cash dhe të parandalojë pastrimin e parave.

“Sipas të dhënave të Bankës Botërore rezulton se 40 për qind e tatimpaguesve të xhiros nga 0 deri në 8 milionë, pra te biznesi i vogël, nuk kanë llogari bankare. Ne kemi propozuar që të gjithë tatimpaguesit, persona juridikë dhe kompanitë, duhet të çelin llogari bankare dhe kjo nuk ka kosto taksash për buxhetin e shtetit, ndërkohë që për tatimpaguesit që janë persona fizikë, biznes i vogël, u vendos një limit ku u përjashtuan nga hapja e llogarisë bankare tatimpaguesit me xhiro nga 0 deri në 2 milionë lekë në vit. Kjo fashë përbën edhe pjesën më të madhe të tregtarëve me pakicë, ambulantëve, bizneseve të vogla në mënyrë që të mos iu krijohen kosto shtesë.

Gjithashtu, fluksi më i madh i transaksioneve kryhet nga biznesi me qarkullim xhiroje mbi 2 milionë lekë në vit, të cilët janë tregtarët me shumicë, importuesit etj.. Drafti parashikon edhe penalitete për ato biznese që nuk do të hapin një llogari bankare”, u shpreh Lera. Drejtori i Politikave Fiskale thotë se 60 mijë tatimpagues do të përjashtohen nga detyrimi për hapjen e llogarisë bankare, ku përfshihen tregtarët e vegjël dhe ambulantët.

“Nga 110 mijë tatimpagues që operojnë në vend, kanë të drejtë të hapin një llogari bankare apo disa, të cilat i shërbejnë veprimtarisë së tyre. Në projektligj përcaktohet që bizneset që kanë qarkullim xhiro mbi 2 milionë lekë, kanë detyrimin të kenë të hapur një llogari bankare. Të përjashtuar janë vetëm personat fizikë me qarkullim 0 deri në 2 milionë lekë, që janë 60 mijë biznese, të cilat nuk janë të detyruar të kenë llogari bankare”, u shpreh Lera./Panorama

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme