Bisedimet për “detin”, Kotzias të enjten në Tiranë

00:56 | 28 Mars 2018
Trina Galanxhi

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, do të zhvilloje një vizitë në Tiranë këtë të enjte. Sipas burimeve diplomatike greke vizita e zotit Kotzias do të zhvillohet në kuadër të përgatitjes së vizitës që kryeministri grek Alexis Tsipras do të zhvillojë në vendin tonë gjatë muajit prill.

Ende nuk dihet detajet e axhendës së zotit Kotzias në Tiranë, por burime diplomatike greke i thanë Top Channel se zoti Kotzias do të qëndrojë pak orë në Tiranë, ku do të ketë takime me homologun Bushati, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e takimit edhe me Kryeministrin Rama.

Të njëjtat burime i thanë Top Channel se dy ministrat e Jashtëm do të kenë një takim intensiv, lidhur me çështjet e fundit që kanë mbetur pezull në “shportën” e çështjeve dypalëshe.

Pala greke synon një takim me rezultate konkrete dhe me firmosje të një sërë marrëveshjesh dypalëshe, të cilat tashmë janë dakorduar mes dy vendeve.

Por ajo çka duket se e detyron Kotzias të vijë në Tiranë është shumë gjasë edhe një dakordësi paraprake për marrëveshjet e rëndësishme mes dy vendeve.

Pala greke dëshiron mbyllje përfundimtare të çështjes së detit, përkundër heqjes së ligjit të luftës nga pala greke.

Burimet i thane Top Channel se Athina insiston në lënien jashtë çështjeve të diskutuara, ose që do të diskutohen, të çështjes çame, diskutimi i së cilës do të krijonte shumë reagime negative në Greqi, madje edhe ndoshta rënie të koalicionit qeverisës mes Syriza dhe Anel, pikërisht në momentin që krenaria greke është lëkundur prej krizës ekonomike, por edhe prej mbajtjes në burgjet turke, të dy ushtarakëve grekë, të kapur rob prej një patrulle turke një muaj më parë në kufirin greko-turk.

Por burimet greke thanë se zoti Kotzias do t’i kërkojë palës shqiptare, edhe ndërhyrjen e saj, në ndihmë të përfundimit të negociatave mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit.

Athina kërkon me insistim që kjo çështje të mbyllet përpara samitit të ardhshëm të NATO-s,ndaj dhe po lëviz me të gjitha forcat drejt një zgjidhe përfundimtare të ngërçit 25-vjeçar për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Nga ana tjetër, të gjithë e dinë se influenca e faktorit shqiptar në zgjidhjen e kësaj çështje, është dominante, ndaj edhe një kërkesë e mundshme drejte Tiranës, për të influencuar tek partitë shqiptare në Maqedoni, me qëllim për të pasur një rezultat konkret në bisedimet e Vjenës mes Greqisë dhe Maqedonisë, nuk duhet përjashtuar, thonë burimet./tch/

Të ngjashme