Bundestagu gjerman konfirmoi mbrëmjen e së enjtes, pa ndonjë ndryshim, qëndrimin e grupit të tij kryesor parlamentar, CDU/CSU si dhe të socialdemokratësve të SPD-së, pro hapjes së bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë duke renditur një sërë parakushtesh të ndara në dy grupe: në ato që duhet të plotësohen para Konferencës ndërqeveritare, e cila shënon formalisht hapjen e procesit, dhe të tjerat që do të duhet të plotësohen para hapjes së bisedimeve për kapituj konkret, që në rastin e Shqipërisë pritet të jenë kapitulli 23-24 që lidhen me Shtetin e së Drejtës (reforma e sistemit gjyqësor dhe të Drejtat themelore) dhe liritë themelore, sigurinë dhe drejtësinë.
Sipas kushteve të parlamentit gjerman, konferenca e pare ndërqeveritare duhet të zhvillohet atëherë kur Qeveria Federale të konstatojë plotësimin nga ana e Shqipërisë të dy çështjeve: Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese si dhe të Gjykatës së Lartë si dhe të merret vendim për reformën zgjedhore”. Sa i takon kësaj reformë, deputetët gjermanë saktësojnë se ajo duhet të jetë “në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe të sigurojë një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore si dhe të bazohet në rezultatet e Komisionit ad hoc të Reformës zgjedhore. Rishikimi i draftit të përgatitur atje, duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR të datës 5 shtator 2019”.
Nisja e bisedimeve për kapituj konkretë, kushtëzohet me një numër më të madh çështjes, të paktën 7 të tilla: Zbatimi i ligjit për reformën zgjedhore të inicuar; Fillimi i procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vettingut për shkak të sjelljes së dënueshme; Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore kundër atyre që janë të përfshirë në blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve; Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj për të punuar; Progres solid në krjimin e bilanci suksesi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë inicimin dhe proçedimet e para të përfunduara kundër nënpunësve civilë dhe politikanëve të nivelit të lartë. Këto përfshijnë hetime proaktive, eventualisht ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar; Progres i prekshëm në reformën administrative, përfshirë rishikimin e qëndrimeve të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, edhe nën këndvështrimin e parregullsive dhe një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese. Nëse urdhërohet përsëritja e zgjedhjeve, ato duhet të zhvillohen në bazë të ligjit të ri zgjedhor”, saktësohet në dokumentin e miratuar nga deputetët gjermanë.
Në ndryshim nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut mori një “Po” të pastër dhe rruga e saj drejt një vendimi pozitiv nga ana e Këshillit Europian javët e ardhshme, është tanimë po ashtu shumë më e sigurt. Mbetet për t’u parë nëse vendet e anëtare do të caktojnë ose jo një datë fikse, për bisedimet, duke qenë se Gjermania e lidh me realizimin e kushteve të caktuara që kërkojnë kohën e tyre për t’u përmbushur.
Në një postim në Tëitter, komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn theksoi se është “shumë i mirëpritur votimi i sotëm në Bundestagun gjerman në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor. Njohja e progresit konkret është thelbësor, si nxitje për reformat në Ballkanin Perëndimor dhe për besueshmërinë e BE”.
Ndërsa nga ana e tij presidenti Ilir Meta bëri thirrje që “tani urgjent të punohet për zgjidhjen e shpejtë të krizës së rëndë politike dhe plotësimin e 9 kritereve të qarta! Po të ishin dëgjuar këshillat e tyre në kohë, sot do të kishim marrë një vendim pa kushte ashtu si Maqedonia e Veriut. Reflektim serioz për t’i dhënë Shqipërisë një mundësi reale, jo imagjinare!”, shprehet zoti Meta duke e mbyllur postimin e tij në Facebook me një urim për Maqedoninë e Veriut./voa/
Policia zhvilloi 460 ligjërata në shkollat e Prishtinës gjat...
Sondazhi i Arbresh.info në Facebook, LVV mbi 50%
Hasani pret homologun polak: Jemi të gatshëm të punojnë së b...
Policia organizon punëtorinë për rishikimin e strategjisë së...
Ndalohen për 48 orë dy sllovakë dhe një kosovar, dyshohet se...
Krasniqi pret në takim lamtumirës Hovenierin, e falënderon p...