Bie inflacioni i përgjithshëm në Shqipëri, por ushqimet vijuan shtrenjtimin në shkurt

13:26 | 8 Mars 2023
A. B.

Rritja e përgjithshme e çmimeve u ngadalësua në shkurt për të katërtin muaj me radhë, por ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan edhe më tej në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Ndërkohë, vala e shtrenjtimit po zgjerohet në kategori të tjera si veshjet, mobilimi dhe baret si dhe qiratë, sipas të dhënave të institutit të statistikave INSTAT.

Stabilizimi disi i çmimeve të karbmuranteve në tregjet ndërkombëtare të hidrokarbureve ka bërë që te transporti të kenë një rënie të ndjeshme të inflacionit.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se inflacioni në nivele ende rekord po vjen më shumë nga brenda se nga jashtë vendit siç ndodhte një vit më parë.

INSTAT raportoi sot se Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin shkurt shënoi rritje vjetore me 7.1 për qind, një vit më parë ky ndryshim ishte 3.9 për qind. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Shkurt 2023, krahasuar me Janar 2023 është 1.1 për qind.

Krahasuar me mujina shkurt 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 13.5 për qind, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6.9 për qind, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5.5 për qind, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5.1 për qind, “Veshje dhe këpucë” me 4.4 për qind, dhe “Argëtim dhe kulturë” me 3.4 për qind.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme