Treguesi i ndjesisë ekonomike në Shqipëri regjistroi rënie për të tretin muaj radhazi në mars, sipas vrojtimit të besimit të biznesit dhe konsumatorit të publikuar sot nga Banka e Shqipërisë.
Sipas raportit të bankës qendrore, rënia me 2 pikë përqindje në mars u ndikua nga përkeqësimi i besimit konsumator dhe i besimit të bizneseve në sektorin e tregtisë.
Ndikimin kryesor në përkeqësimin e besimit e dha rritja e çmimeve dhe pritshmëritë për rritje të mëtejshme të tyre në të ardhmen.
“Nga ana tjetër, përmirësimi i besimit të bizneseve në sektorët e industrisë, shërbimeve dhe ndërtimit e ka bërë më të përmbajtur prirjen rënëse të treguesit të ndjesisë ekonomike”, shkruhet në raport.
Treguesi i besimit të industrisë shënoi rritje prej 2.2 pikë përqindjeje krahasuar me muajin e kaluar.
“Kjo rritje i atribuohet ecurisë pozitive të kontratave porositëse në total”, thuhet në raport.
Ndërkohë, treguesi i besimit në ndërtim pësoi një rritje të lehtë prej 0.5 pikë përqindjeje në muajin mars, duke vijuar të qëndrojë mbi mesataren e vet historike.
“Komponentët e këtij treguesi dhanë kontribute në kahe të kundërta. Nga njëra anë, balanca e aktivitetit ndërtues u përmirësua, ndërsa nga ana tjetër, balanca e porosive aktuale pësoi rënie”, sqaron banka.
Në anën tjetër, treguesi i besimit në shërbime u rrit me 0.7 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar.
“Kjo rritje vjen pas trendit rënës që ky tregues ka përjetuar në dy muajt e parë të vitit 2022. Ajo u ndikua si nga komponenti i ecurisë aktuale të biznesit ashtu edhe nga ai i kërkesës, por ky i fundit shënoi një rritje më të lartë”, sipas raportit.
Raporti tregon gjithashtu se treguesi i besimit në tregti ra me 1.5 pikë përqindje në muajin mars.
“Kjo rënie ka përforcuar atë të nisur në muajin shkurt. Në terma të komponentëve të treguesit të besimit në tregti, rënia është përcaktuar nga komponenti i ecurisë aktuale të biznesit, ndërsa balanca e pritjeve për nivelin e punësimit ka mbetur pothuajse e pandryshuar”.
Një nga treguesit më të rëndësishëm, treguesi i besimit konsumator shënoi një rënie prej 6.7 pikë përqindjeje në muajin mars.
“Kjo rënie ka bërë që ky tregues të arrijë nivelin e dytë më të ulët historik pas minimumit që shënoi në fillimet e pandemisë”, thuhet në raport.
Banka sqaron se treguesi i besimit konsumator u ndikua sidomos nga pritjet për situatën ekonomike dhe situatën financiare.
“Rënie shënoi edhe treguesi për blerjet aktuale, ndërsa balanca e pritjeve për blerjet gjatë muajve të ardhshëm mbeti pothuajse e pandryshuar. Edhe në rastin e konsumatorit, pritjet për çmimet e konsumit në të ardhmen kanë shënuar rritje”, thuhet në raportin e besimit në ekonomi.
Rusia kryen sulm masiv ndaj infrastrukturës energjetike të U...
Mbledhja e Qeverisë së Kosovës me atë të RMV-së, Krasniqi: D...
Gjesti me akuza ndaj Edit dhe Xhenetës që po bëjnë “filma”
Policia shqiptoi mbi 1600 gjoba brenda 24 orëve
Vdes në QKUK gruaja që mbeti e lënduar nga aksidenti mes tre...
Policia arreston një person pas kontrollit në një lokal në P...