Besa Shahini i përgjigjet deklaratës së PD-së: Deklaratat e tyre janë absurde

17:09 | 8 Maj 2020
Arbresh.info

Ministria Besa shahini njoftoi sot se zgjedhjet në universitete do të shtyheshin deri në një njoftim të dytë. Partia demokratike reagoi duke e quajtur betejë të rëndësishme të fituar nga pedagogët dhe studentët, me mbështetjen e opozitës.

Teksa ministria Shahini nuk e ka lënë pa komentuar këtë deklaratë nëpërmjet një statusi në Facebook.

Statusi i Shahinit:

Pa patur mundësi të votojnë studentët, natyrisht që nuk mund të ketë zgjedhje të mirëfillta nëpër universitete. Përderisa nuk kishim siguri se data e mëparshme mundësonte gjithëpërfshirjen e studentëve, u detyruam ta shtyjmë atë. Vendim ky, i ndërtuar mbi propozimet e vetë studentëve dhe i koordinuar me të gjitha institucionet e angazhuara në këtë proces, përfshirë edhe zyrën e Presidentit.

Në këtë kontekst, deklaratat e PD-së për “beteja” opozitare janë absurde. Në vend të sajimit të kauzave të paqena, do ndihmonte shumë politikëbërjen arsimore sikur energjitë opozitare të kanalizoheshin në kauza reale që do të përmirësonin cilësinë dhe menaxhimin në arsim

Deklarata e PD-së:

Tërheqja e qeverisë nga krimi zgjedhor i mbajtjes së zgjedhjeve pa zgjedhës në arsimin e lartë është një betejë e rëndësishme e fituar nga pedagogët dhe studentët, me mbështetjen e opozitës. Me një proces të paligjshëm dhe absurd, Edi Rama synonte të merrte nën kontroll edhe arsimin e lartë përmes ushtarëve të tij dhe të organizatave kriminale.

Rekordet e Edi Ramës me arsimin e lartë janë të njëjta me rekordet e tij për zgjedhjet. Kur nuk i fiton dot, përdor çdo mjet të pistë për pushtetin e tij. Mbajtja e zgjedhjeve në arsimin e lartë pa pedagogë dhe studentë, në kulmin e masave të jashtëzakonshme, nuk ndryshon nga akti i tij kriminal i 4 viteve më parë, kur tentoi të kapë Universitetin e Tiranës përmes Emiljano Shullazit.

Duke respektuar autonominë e universiteteve, Partia Demokratike nuk ndërhyn në zgjedhjet e tyre, por sigurojmë studentët dhe pedagogët se do të vazhdojmë të jemi në krah tyre dhe do ta ngrejmë zërin për çdo shqetësim të arsimit të lartë.

Partia Demokratike dënon presionin dhe shantazhin e ushtruar gjatë këtyre ditëve ndaj pedagogëve dhe studentëve dhe paralajmëron Edi Ramën dhe veglat e krimit të organizuar brenda arsimit të lartë që të mbajnë larg duart nga Universitetet.

Edi Rama dhe Besa Shahini duhet të kenë të qartë se askush nuk mund të cënojë dinjitetin e pedagogëve dhe studentëve shqiptarë. Askush nuk mund të urdhërojë zgjedhje pa pedagogë dhe pa studentë. Askush nuk mund të injorojë vullnetin e tyre, për një proces të rregullt dhe ligjor të zgjedhjeve në Universitete.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme