Ish-kryeministri Sali Berisha, me anë të një postimi të gjatë në Facebook, tha se ringritja e Partisë Demokratike mund të bëhet përmes bashkimit, jo përçarjes e përjashtimit.
“Rëndësi vendimtare ka që PD-ja t’u mundësojë të gjithë anëtarëve të saj një proces të drejtë, të ndershëm, të barabartë dhe të pandikuar nga askush për të zgjedhur lidershipin që ata mendojnë dhe gjykojnë se mund t’i çojë si një opozitë e fuqishme drejt fitores, sa më shpejt, të mendjeve dhe zemrave të shqiptarëve”, shprehet Berisha.
Ja postimi i plotë i Sali Berishës:
“Rruga drejt ringritjes kalon përmes bashkimit dhe jo përmes përçarjes e përjashtimit! Të dashur miq, rezultati i këtyre zgjedhjeve është larg atij që ne të gjithë dëshironim dhe prisnim. Pa asnjë diskutim që droga, krimi, pjesëmarrja e administratës në kundërshtim me ligjin, pabarazia e madhe në media ndikuan qartësisht në rezultatin e tyre dhe bënë që këto zgjedhje të mos jenë të lira dhe të ndershme, ashtu siç i meritonin shqiptarët.
Të gjitha këto provuan dhe një herë se Edi Rama është armik i egër i votës së shqiptarëve. Por, pavarësisht presioneve, krimit, antiligjit dhe parave të Noriegës, arsyet dhe përgjegjësitë për këtë humbje të thellë të PD-së, si për rezultatin, ashtu dhe sfondin e saj në përputhje me praktikat më të mira të demokracive perëndimore, duhet t’i kërkojmë dhe gjejmë detyrimisht edhe tek vetja jonë. Përndryshe na pret një e ardhme e pasigurtë! Këto ditë në media ka shpërthyer një polemikë e natyrshme lidhur me humbjen tonë në këto zgjedhje dhe shkaqet e saj. Drejtues, por edhe anëtarë të thjeshtë të PD-së kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit, i cili padyshim është përgjegjësi më kryesor, por natyrisht jo i vetëm për këtë humbje. Nga ana tjetër, kryetari i PD-së ka njohur përgjegjësinë e tij personale kryesore për këtë humbje.
Statuti i partisë parashikon hapjen e procesit të zgjedhjes së kryetarit të partisë dhe ky i fundit ka deklaruar se do të ngrijë funksionet e tij si kryetar partie për kohën e procesit të zgjedhjes së kryetarit, për të mos ndikuar në këtë proces. Unë mendoj se mënyra më e mirë për të evidentuar shkaqet, për të përcaktuar përgjegjësitë e humbjes, është t’i japim zë dhe mundësi të gjithë strukturave dhe anëtarësisë së PD-së për të thënë fjalën e tyre lirshëm dhe me përgjegjësi në analizën dhe ndryshimin e thellë që nevojitet për të dalë prej saj dhe ringritur përsëri fuqishëm Partinë Demokratike. Është e domosdoshme të kuptojmë arsyet përse kutive të votimit u mungoi vota e 200 mijë qytetarëve që kanë votuar PD-në në zgjedhjet e kaluara dhe pse pas katër vitesh, ne jo vetëm mbetemi opozitë, por marrim këtë rezultat.
Mendoj se ne, në këto rrethana, pavarësisht nga emocionet, kundërshtitë e pashmangshme për situata si kjo, rëndësi vendimtare ka që PD-ja t’u mundësojë të gjithë anëtarëve të saj një proces të drejtë, të ndershëm, të barabartë dhe të pandikuar nga askush për të zgjedhur lidershipin që ata mendojnë dhe gjykojnë se mund t’i çojë si një opozitë e fuqishme drejt fitores, sa më shpejt, të mendjeve dhe zemrave të shqiptarëve. Gjykoj se është detyrim ligjor dhe moral i çdo anëtari apo drejtuesi të PD-së të kontribuojë në integritetin, transparencën, besueshmërinë e këtij procesi në luajalitet të plotë të vlerave dhe rregullave demokratike që ndajmë njëri me tjetrin! Rruga e ringritjes nuk është kurrë e lehtë, ajo kalon përmes BASHKIMIT dhe jo përmes PËRÇARJES, as dhe PËRJASHTIMIT. Por, unë kam bindjen më të thellë se ne kemi vullnetin e hekurt, që të bashkuar ta kryejmë me sukses të plotë ringritjen e fuqishme të Partisë Demokratike që presin sot me padurim anëtarët, mbështetësit tanë, pret e djathta shqiptare dhe miqtë tanë në mbarë Europën dhe botën.
Prandaj dhe ju ftoj të dashur miq, duke shprehur një falenderim dhe mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre që votuan PD-në, le të angazhohemi ne me të gjithë energjitë tona në këtë mision jetik për PD-në, për Shqipërinë dhe demokracinë e saj”, shkruan Berisha.
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...