Google ADS

Berisha reagon pas zhvillimeve në veri të Kosovës: Putini i vogël, Vuçiq po luan me zjarrin

21:51 | 10 Dhjetor 2022
E.H

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me situatën në veri të Kosovës ku tash e disa ditë janë krijuar tensione nga serbët që jetojnë në atë pjesë.

Teksa e ka quajtur “Putini i vogël”, Berisha ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po mundohet që të fillojë një konflikt të ri në rajon.

“Çdo natë vendosin eksplozive, shkrepin breshëri kundër forcave të Policisë së Kosovës që sigurojnë rendin, jetën dhe veprimtarinë normale të banorëve të zonave të veriut të Kosovës. Këta kriminelë kanë plagosur me armë zjarri anëtarë në detyrë të forcave policore të Kosovës, bllokojnë rrugë dhe djegin makina”, ka shkruar ai në Facebook.

“E gjithë kjo veprimtari subversive, kriminale e Beogradit ndaj Kosovës udhëhiqet direkt nga serbomadhi Aleksander Vuçiq apo Putini i vogël i cili ka shndërruar Serbinë, sot me shumë se kurrë, në Rusi të vogël në prapavijë shumë të rrezikshme të Rusisë në mbështetje të agresionit të saj barbar ndaj Ukrainës dhe ambicieve të Putinit në Ballkan”, u shpreh Berisha.

Berisha tutje ka komentuar edhe kërcënimet e Serbisë për kthimin e ushtarëve serbë në Kosovë, duke i quajtur deklaratat e tilla thirrje luftënxitëse.

“Këto ditë Aleksander Vuçiq, vendi i të cilit është në Gjykatën e Hagës si Geobels i Millosheviçit dhe frymëzues direkt i genocidit serb në Bosnje dhe Kosovë, deklarohet për futjen e 1000 ushtarëve serb në Kosovë. De facto ai deklarohet për fillimin e një konflikti të ri në Kosovë”.

“Në këto deklarata luftënxitëse ai mbështetet jo vetëm nga padroni i tij në Kremlin, por edhe nga vasali i tij në Tiranë, Edi Rama i cili është një armik i vërtetë i kombit shqiptar dhe mbrojtës i shpifur i qëndrimit të padronit të tij ndaj Rusisë”, ka shkruar në fund Berisha.

Të ngjashme