Berisha: Rama do t’i zëvendësojë shqiptarët me bangladeshas, sepse thotë ata nuk votojnë

19:55 | 4 Prill 2023
E.H

Sali Berisha ka vijuar nga Hasi akuzat ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në lidhje me shpopullimin e vendit.

Në prezantimin e kandidatit për kryetar të kësaj bashkie, Berisha theksoi se kreu i qeverisë po krijon kushtet që shqiptarët të largohen çdo ditë nga vendi dhe t’i zëvendësojë ata me bangladeshas, sepse ata nuk votojnë.

“A po krijon Edi Rama përditë kushte për tu larguar hasjanët dhe shqiptarët nga Shqipëria dhe nga Hasi, çdo ditë. A nuk ishte ky bastard, a nuk ishte ky paraardhës i bllokmenëve që dilte në ekran me hekura në dorë qytetarëve, se nuk kishin paguar faturat e dritave. A nuk ishte ky që arrestoi në 1 vit, për çështje civile, fatura dritash dhe ujë, 38 mijë qytetarë. A nuk ishte ky që futi buldozerët në dhjetëra mijëra ndërtime dhe biznese, duke i larguar nga Shqipëria a nuk është ky që dyfishoi taksat dhe përgjysmoi bizneset duke larguar njerëzit nga vendi. A nuk është ky që rriti taksat edhe para një javë të profesioneve të lira, vetëm e vetëm që të largohen nga Shqipëria”.

Sipas Berishës edhe rritja e mesatares është një akt genocidal, pasi mbyll dyert e shkollave për të rinjtë.

“A nuk është ky që rriti mesataren e hyrjes në universitet vetëm e vetëm që fëmijët e Hasit, Tropojës, Kukësit, të mbarë Shqipërisë rurale të mos futen dot në universitetet e vendit, sepse nuk kapin mesataren. Në një fshat në Bubq, një demokrat që kishte 4 vjet që jeton në çadër se i ka prishë shtëpinë tërmeti, më thotë: Sali a i shikon ata të rinj në gomone, po i them Martin, ata thotë mbarojnë gjimnazin, Edi Rama ua mbyll dyert e universitetit me mesatare dhe shkojnë e kapin gomonet. Analiza e tij ishte e kristaltë, rritja e mesatares është një akt genocidal, është të mbyllësh dyer e shkollave për të rinjtë. Nuk e bën askush, nuk e bën asnjë vend i pasur. E bën Edi Rama, sepse do ti zëvendësojë shqiptarët me bangladeshas, sepse thotë ata nuk votojnë, sepse ai ka frikë dhe tmerr nga vota juaj”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Hasit që më 14 maj të votojnë Miftar Dautin, për pluralizmin dhe demokracinë./A2CNN

Të ngjashme