Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot kandidatët për deputetë të koalicionit “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qarkun e Gjirokastrës.
Në fjalën e tij, Berisha garantoi vendosjen e mësuesit në piedestal, teksa shtoi se pagesa e mësuesit minimimalisht me 1500 euro, do të jetë objektiv kryesor.
“Ne jemi këtu me këtë program. Ndaj dhe ne programin tonë e nisim në radhë të parë tek dhembshuria njerëzore. Ne jemi komb bamirës. Ne e kemi virtyt bamirësinë. Por është i pashpirt shteti që i lë burrat dhe gratë që kanë shkrirë jetën e tyre të numërojnë kafshatën, të mos marrin dot ilaçet, me një pension qesharak. Është i pashpirt shteti kur merr prej tyre taksa 8 miliardë dhe 760 mijë qytetarëve u jep 16 milionë. Është i pashpirt shteti që nuk mendon se ato familje të cilat u japin dy vakte ushqim fëmijëve, ato janë subjekt sëmundjesh dhe shumë e shumë të këqijash të tjera”, tha Berisha.
“Atëherë ne do e fillojmë këtu me programin tonë. Ne kemi përcaktuar minimumin jetik si emergjencë të emergjencave. Çdo shqiptar 200 euro. Çdo pensionist 200 euro. Nga 760 mijë pensionistë, mbi 560 mijë marrin më pak se 170 mijë lekë se janë me pension të pjesshëm. Do marrin 200 euro. Të gjithë të papunët, 200 euro. Të gjithë personat në ndihmë ekonomike, 200 euro. Të gjithë burrat dhe gratë që nuk kanë asnjë lloj sigurimi, do marrin 200 euro. Të gjithë jetimët do marrin 200 euro. Të gjithë studentët me bursë do marrin 200 euro”, theksoi kreu i PD.
Berisha tha se, këto para janë që të gjitha.
“Unë po përgjigjem si ish-kryeministër. Së pari, atë buxhet, morali dhe ligji të detyron që më së pari paratë t’ua kthesh atyre që ua ke marrë, dhe ai buxhet i tëri përbëhet nga taksat tuaja. Dhe se kemi parasysh këtë parim, dyfishuam rrogat, dyfishuam pensionet e ulëta, dyfishuam ndihmën ekonomike. Pra, nuk është parim shqiptar ky, nuk është parim i Sali Berishës ky, ky është parim i çdo qeverie të përgjegjshme”, tha Berisha.
“Në vitin 2013, pensioni në Shqipëri ishte 143 mijë lekë. Pensioni në Mal të Zi ishte 138 mijë lekë. Sot Mali i Zi pensionin e ka 450 mijë lekë. Po pse e ka? Sepse kryeministri i Malit të Zi, dhe po kështu i Maqedonisë, Serbisë, Kosovës, çdo kryeministër zbaton parimin, paratë qytetarëve, rroga dhe pensione. Kurse kjo qeveri nxori teorinë se fondi i pensioneve aq është, dhe se po të marrim nga buxheti për pensionistët, biem në greminë. Po si nuk ra Mali i Zi, Serbia, Maqedonia në greminë?”, theksoi Berisha.
“Jo miq, këta i vjedhin paratë. Dhe u them unë ju, në ato miliarda që kanë vjedhur në veprat publike që nuk i kanë ndërtuar, apo i kanë vlerësuar 10 herë më shtrenjtë se kushtojnë, janë paratë e pensioneve tuaja, rrogave tuaja. Dhe kjo merr fund”, shtoi ai.
Berisha theksoi se përparësi absolute do të ketë kthimi i parave tek qytetarët.
“A mund të bëhet fjalë për Gjirokastër madhështore kur shkollat mbyllen njëra pas tjetrës, kur universiteti bie çdo vit, kur spitali që ka pasur mjekë të shquar, mjekë të zot, mjekë të shkëlqyer, sot për apandesit duhet të shkosh në Tiranë të operohesh?”, tha Berisha.
“Ne do bëjmë gjithçka që qytetari të ketë shërbimin shëndetësor që meriton. Do bëjmë çdo gjë që ju ilaçet të mos u mungojnë. Dhe të keni ilaçe të të njëjtit standard që ka Greqia, që ka Italia”, u shpreh kreu i PD.
“Qëndrojmë përsëri tek ata që janë më në nevojë. Karta e konsumatorit, rrogulëtit dhe nuk do ketë rrogë më të ulët se 500 euro, pensionistët, të papunët do të marrin kartën e konsumatorit me të cilën do blejnë 20 për qind më lirë se të tjerët. Ato para do t’u kthehen në vit dhe janë rreth 450 euro”, tha Berisha.
“Pra a nuk është ky një çlirim nga varfëria ekstreme e këtyre qytetarëve? Shoqëria bëhet më e drejtë. Ilaçet, lista e Republikës italiane do jetë lista që do firmoset muajin e parë të qeverisë së ardhshme. Pra, në këtë mënyrë ne ndahemi nga mjerimi, nga varfëria e skajshme”, tha Berisha.
“Ne do rivendosim arsimin si kusht që të rinjtë shqiptarë të shkollohen në shkolla të mira. Respekti ynë, i të gjithë këtyre qytetarëve për mësuesit dhe mësueset është i pakufishëm. U garantoj se vendosja e mësuesit në piedestal, pagesa e tij minimimalisht me 1500 euro, do jetë objektiv që do mbahet si kusht për të ngritur arsimin”, shtoi Berisha.
“U garantoj ju se brenda 4 viteve, nuk do ketë klasë në Shqipëri me më shumë se 25 nxënës. Nuk do ketë turne. Po vij nga Saranda, shkollat me dy turne. Kudo. Nuk ka sepse arsimi dhe shëndetësia, rrugët u bënë objekte të vjedhjeve më të papërmbajtura. Ndaj dhe vetëm duke rivendosur arsimin në piedestalin e vet, Shqipëria, Gjirokastra do ecin në rrugën e madhështisë”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se, nuk do ketë mesatare për në universitet.
“Me përfundimin e studimeve, punësimi juaj do të jetë përparësi absolute. Çdo punëdhënës do t’i paguhen sigurimet shoqërore për ju një vit dhe ju do t’ju garantohen kredi të buta për të ngritur startupe, grante për të siguruar çatinë. Çdo çift do marrë kredi. Për çdo çift një çati. Do paguhet bonus 70 euro për fëmijën e parë. 60 euro për fëmijën e dytë. Çdo shpenzim nga lindja gjer 23 vjeç për fëmijën e tretë”, tha Berisha.
“Ne do bëjmë gjithçka t’i rikthejmë kombit rininë. Ne do bëjmë gjithçka të sjellim kombin shqiptar në moshën e rinisë së tij”, u shpreh ai./atsh.al
Punëtorët e KEK-ut protestojnë më 1 maj, kërkojn rritje të p...
Një super bashkëpunim po vjen nga DJ Dagz, PM dhe David Dres...
Ndërprerja e punimeve në shesh, Rama publikon shkresën ku th...
Dënime të ashpra për Rudigerin e Vazquezin, shpëton Bellingh...
Arkivi i Komunës së Mitrovicës së Veriut kalon në format dig...
KDI publikon pamje shqetësuese të lumenjve të shndërruar në ...