Berisha: Në 6 Dhjetor protestojmë në bulevard për vlerat europiane

16:32 | 26 Nëntor 2022
E.H

Ndonëse policia e Shqipërisë ndaloi protestën e opozitës në 6 Dhjetor përpara Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me argumentin se cënohet siguria kombëtare për shkak të mbajtjes së samitit të BE-së, Sali Berisha nuk ka ndërmend të zmbrapset.

Përmes një konference online, kryedemokrati tha se do të dalë në shesh me qytetarët për vlerat europiane, kundër regjimit të narkoshtetit të Edi Ramës.

“Nuk ka forcë në botë që të pengojë mbajtjen e atij tubimi me datën 6 në ora 12:00 do të mbushë bulevardin e Tiranës, si kurrë në historinë e tij”, tha ai.

Garantoi siguri të plotë për miqtë ndërkombëtarë, ndërsa Edi Ramën e ftoi të mos provokojë qytetarët.

“Sigurisht ai kërkon sherr, por unë i them këtu, hiq dorë. E gjithë përgjegjësia do të bjerë mbi ty”.

Kryeministrin e paralajmëroi edhe për fundin që e pret nëse tenton të manipulojë zgjedhjet lokale të 14 Majit.

“Prite cunami po bëre cunami, nuk do ta gëzojë”.

Për të mbrojtur votën e shqiptarëve nga fenomeni i shitblerjes tha se ka gati një nismë ligjore.

“Ne do bëjmë çmos që qytetarët shqiptarë për shkak të blerjes masive me narkoeuro të votës, të mund të votojë detyrimisht”.

Me Edi Ramën u mor gjatë, teksa Kryeministrin e shënjestroi edhe për konfiskimin që sipas Berishës po tenton t’i bëjë flamurit të Partisë Demokratike.

“Ju garantoj se Edi Rama i ka bërë llogaritë gabim”.

E teksa të dielën në Tiranë dy kuvendet ai i Shqipërisë dhe Kosovës do të përkujtojnë 110- vjetorin e pavarësisë, Berisha foli për një armik në atë tryezë.

“Me asnjë furçë, me asnjë bojë nuk mund të paraqitet si patriot një armik i vendosur i pavarësisë së Kosovës”.

Nga heqja e traut në Rrugën e Kombit e deri tek legalizimet e banesave me 1 Euro qenë disa nga premtimet që tha se Partia Demokratike do realizojnë pas ardhjes në pushtet.

E sa për bilancin e qeverisë tre vjet pa tërmetit të 26 Nëntorit të 2019-ës ka vetëm një përgjigje./Tv Klan/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme