Lideri historik demokrat, Sali Berisha, tha se janë mbledhur firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar duke respektuar statutin.
“Që firmat mblidhen vetë, e ka të përcaktuar statuti. Ky nen synon shpëtimin inekstremis të partisë. Ai mori një vendim si peng. Kështu që kryetari nuk do pranonte kurrë të thërriste Kuvendin. E gjykuam më mirë që ta thërrasë anëtarësia, sepse mund ta bënte edhe Këshilli Kombëtar. Nisma është 100 përqind statutor. Edhe ju jeni të ftuar të verifikoni te tryeza. Kjo era e re, kjo lëvizje e re është rikthim i transparencës dhe lirisë në PD. Do jenë komisione me tavolina që do bëjnë verifikimin dhe transparencën. Do bëhet një proces shumë i rregullt. Atë që nuk e ka bërë kurrë PD në këto 8 vite. Nëse peng-kryetari do, le të sjellë përfaqësuesin e tij në tryezë për të verifikuar se kush ka firmosur për thirrjen e Kuvendit Kombëtar,” tha Berisha.
I pyetur se cili do jetë fati i Lulzim Bashës, Berisha tha: “PD nuk përjashton askënd. Gjatë historikut të saj janë larguar njerëz, por janë larguar vetë. Me gjithë dëmin që i ka bërë PD dhe është peng për fajin e vetë, përsëri mendoj se do të jetë vetë ai që do të përcaktojë vendin e tij. Demokratët do të flasin me votë për Lulzim Bashën”.
“PD që është sot këtu para jush, kam parasysh këtë mazhorancë, nesër po dekretoi presidenti i republikës, fiton zgjedhjet. Nuk diskutohet mospjesëmarrja në zgjedhje. Është një entuziazëm i jashtëzakonshëm në radhët e PD-së. Çfarë mund të përfaqësojë ai kur nuk takon një anëtar? Ai përfaqëson katër muret e zyrës së tij.
Unë e ftoj të vijë në Foltore. Të vijë, nuk vjen dot. Nuk e lënë pasi është sjellë në mënyrë të paimagjinueshme me anëtarësinë e PD-së. Ai zbaton urdhra që i japin të tjerët, që poshtërojnë PD-në. Ka shkelmuar sovranitetin e forcës politike sovrane. Problemet i ka krijuar vetë ai,” tha Berisha./syri.net/