Berisha falenderon mbështetësit: Sot është koha e veprimit, ju pres në Partinë Demokratike

12:46 | 12 Dhjetor 2021
Përparim Bublaku

Një ditë pas mbajtjes së Kuvendit të 11 Dhjetorit të Partisë Demokratike, ish-Kryeministri Sali Berisha ka falenderuar delegatët dhe militantët e PD-së.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai e konsideron Kuvendin e 11 Dhjetorit mbledhje historike.

Berisha thotë se tashmë është koha e veprimit, teksa i fton demokratët dhe mbështetësit në Partinë Demokratike.

“Të dashur demokratë dhe demokratë! Kohët e fundit kanë qenë të mundueshme dhe të vështira për Partinë Demokratike. E di që shumë prej jush kanë dyshuar, ndoshta edhe janë trembur për shkak të fushatës së fuqishme lincuese që është mbajtur kundër personit tim dhe lëvizjes së Foltores.

Megjithatë, ne të gjithë së bashku, delegatë dhe militantë u dhamë përgjigjen më dinjitoze, më të bukur dhe më madhështore dje nëpërmjet mbledhjes historike të Kuvendit Kombëtar të Rithemelimit të Partisë Demokratike thirrur nga delegatët. Sot nuk është më koha e dyshimit, sot është koha e veprimit. Ju pres të gjithëve në shtëpinë e kontributeve, sakrificave dhe idealeve tona të përbashkëta, Partinë Demokratike, për të vazhduar betejën kundër të keqes që ka mbërthyer Shqipërinë tonë të dashur.

Me nderim të veçantë për kontributin e secilit prej jush, Sali Berisha”, shkruan ish-Kryeministri Sali Berisha në një postim në Facebook.

Në Kuvendin e 11 Dhjetorit të PD të iniciuar nga Sali Berisha, u shkarkua si kryetar i partisë Lulzim Basha. Të shtunën e 18 Dhjetorit, do të mbahet referendum për vendimin e Kuvendit 11 Dhjetorit për shkarkimin e Bashës. /tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme