Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës Fredi Beleri është në mesin e fituesve nga lista e kandidatëve për eurodeputet, të Partisë “Demokracia e Re “ të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.
Në përfundim të votimeve të së dielës në Greqi për Parlamentin Europian, ai është renditur i katërti, mes 7 emrave që do të përfaqësojnë partinë e kryeministrit grek. Kjo është hera e dytë që zoti Beleri fiton zgjedhje, duke qenë në gjendje arresti.
Beleri ndodhet në burg në Shqipëri, pasi u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, nën dyshimet për blerje votash.
Ai ishte kandidati i opozitës në Himarë, dhe doli fitues me një diferencë të ngushtë votash. Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e ka dënuar atë me dy vjet heqje lirie.
Beleri, i cili ka hedhur poshtë akuzat, e ankimoi vendimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Procesi ndaj tij, është shtyrë dy herë për shkak të mungesës së avokatëve të tij, një lëvizje e cila duket se kërkonte të shmangte një vendim të formës së prerë, para zgjedhjeve për Parlamentin Europian.
Në një reagim pas rezultatit , Fredi Beleri tha përmes një mesazhi nga burgu i Fierit se ”lufta u fitua në kushte të vështira, të paimagjinueshme për një vend që dëshiron të bëhet pjesë e familjes europiane”.
Legjislacioni shqiptar parashikon se një kryetar bashkie nuk mund të mbajë funksione të tjera dhe nëse Fredi Beleri shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Posaçme e Apelit ai duhet të zgjedhë mes postit të eurodeputetit apo kryetarit të Bashkisë së Himarës.
Por nëse dhe Apeli do të konfirmojë dënimin e tij, atëherë ai praktikisht humbet mundësinë për të drejtuar Bashkinë e Himarës, ku do të duhet të shpallen zgjedhje të parakohshme.
Konstituimi i Belerit si eurodeputet do t’i nënshtrohet rregullave të Bashkimit Evropian. Sipas rregullores së Parlamentit Evropian përpara se të mblidhet seanca e parë e Parlamentit kryhet verifikimi i eurodeputetëve të rinj.
Rregullorja e Parlamentit Evropian, përcakton se pasi rezultatet e zgjedhjeve të jenë zyrtare, shtetet anëtare komunikojnë emrat e atyre që kanë fituar një vend në Parlamentin Evropian dhe Presidenti, nga ana tjetër, u kërkon autoriteteve përgjegjëse të vendeve anëtare të marrin masat e nevojshme për të shmangur çështjet që lidhen me papajtueshmërinë e marrjes së detyrës.
Beleri bën dallim nga eurodeputetët e tjerë pasi është zgjedhur në Greqi, një vend i Bashkimit Evropian dhe vuan dënimin me burg në Shqipëri, një vend që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian.
Komisioni i Çështjeve Ligjore të Parlamentit Evropian kontrollon kredencialet e reja të deputetëve të Parlamentit Evropian duke marrë vendime bazuar në informacionin që ofrojnë shtetet anëtare./voa
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...