Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha në Samitin e Diasporës se komunitetet e shqiptarëve kudo nëpër botë i kanë Shqipërisë një shtrirje globale më të madhe se përmasat e saj. Sipas tij, diaspora është promotorja më eficente e kulturës dhe identitetit shqiptar.
Begaj theksoi se Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë Diasporën.
“Ju, në rrugën tuaj të mbushur me sakrifica, nuk e keni harruar kurrë Shqipërinë. Secili, sipas mundësive ka dhënë gjithmonë një kontribut për kombin. Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë diasporën. Nuk duhet ta shohim atë si pjesë të shkëputur, por si zgjatim të natyrshëm të kulturës dhe identitetit tonë. Historia na mëson se vendi ynë vetëm ka përfituar nga bijtë e saj jashtë”, tha Begaj.
Sipas tij, vetëm kur shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë të ndihen pjesë e vendit të tyre, atëherë Shqipëria do të arrijë potencialin e saj. Si hapin e parë për këtë renditi votën. Po ashtu, theksoi se diaspora duhet të ketë përfaqësim politik për t’i dhënë zë prioriteteve të shqiptarëve jashtë vendit.
“Në këtë kuptim ka disa hapa të domosdoshëm për t’u ndërmarrë. Pikësëpari është vota. Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri. Ata duhet të votojnë, sipas një modeli që shumë vende të tjera e aplikojnë me sukses. Kjo do të kthejë diasporën në aktore të drejtpërdrejtë të konfigurimit politik e administrativ në Shqipëri. Së dyti, diaspora duhet të këtë përfaqësim politik që do t’i japē zë prioriteteve të shqiptarëve jashtë vendit. Të gjithë këto janë procese që nuk mund të përmbushen sa hap e mbyll sytë, por nuk janë objektiva të paarritshëm dhe mbi të gjitha janë nisma të domosdoshme që ne si shqiptarë të jemi bashkë edhe pse larg”, tha Begaj.
Presidenti theksoi se e ka detyrim ta thotë se “ju jemi borxhlinj për kontributin e madh që ju jepni”.
Kontributi sipas tij është i pazëvendësueshëm në aspektin e remitancave, por jo vetëm.
“Prandaj vetëm bashkë mund ta bëjmë Shqipërinë të zhvilluar, faktor vendimtar në rajon dhe anëtare të denjë në familjen evropiane. Kjo do të jëtë pasuria më e madhe e secilit dhe kapitali që duhet t’i transmetojmë brezave të rinj në mënyrë që historia jonë të kthehet në histori suksesesh e ëndrrash të bëra realitet sa në vend aq dhe jashtë tij”, përfundoi ai./tvklan.al
Kishin me vete mijëra para të padeklaruara, kapen në Morinë ...
KEK-u njofton për ndalesën dyditore të njësisë B1
Osmani vendos lule te shtatorja e Rugovës për 80-vjetorin e ...
Kurti mori pjesë në prezantimin e edicionit të pestë të Libr...
Sovraniteti në veri, Kurti: Janë zbuluar 12 depo armatimi, k...
“Qëndroj me krenari para jush”, Kurti në Kuvend përmend arri...