Google ADS

Begaj pret senatorin amerikan Steve Daines: Shqipëria do mbetet aleate besnike e ShBA-së

19:25 | 6 Prill 2023
E.H

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot Senatorin amerikan Steve Daines, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Senatori Daines shoqërohej në këtë takim nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim.

Duke iu referuar marrëdhënieve të shkëlqyera të partneritetit strategjik, Begaj vlerësoi se vizita e Senatorit Daines në Shqipëri vjen në një moment të rëndësishëm, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të zhvillimeve dinamike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Begaj nënvizoi se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të një rëndësie parësore për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Duke iu referuar lidhjeve të forta miqësore e njerëzore, vlerësoi se ato janë shumëdimensionale dhe shumë dinamike, dhe se Shqipëria do të mbetet një aleate besnike e Shteteve të Bashkuara.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmën e gjithanëshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë, veçanërisht në kuadër të reformave të domosdoshme për forcimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, ku padyshim reforma në drejtësi ka marrë vëmendjen kryesore.

Begaj vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë me SHBA-në.

Transformimi, modernizmi dhe niveli i lartë profesional që Forcat e Armatosura zotërojnë sot si anëtarë të denjë të NATO-s, janë edhe falë kontributit dhe mbështetjes së dhënë nga SHBA në fushën e arsimimit, pajisjes me kapacitete moderne dhe stërvitjeve të përbashkëta.

Seria e stërvitjeve Defender Europe, krahas demonstrimit të aftësive profesionale, kapaciteteve operacionale dhe gatishmërisë në mbrojtje të vlerave euro-atlantike është një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve ndërnjerëzore ndërmjet ushtarakëve të dy vendeve.

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe tek efektet, në shumë aspekte, që agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka prodhuar për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke evidentuar se mbështetja thelbësore që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i japin dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i shërben së pari normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, si dhe paqes së qëndrueshme e sigurisë në të gjithë rajonin./abcnews.al/

Të ngjashme