Google ADS

Begaj në Slloveni: Komunikimi mes dy vendeve është në nivele të larta

13:34 | 13 Korrik 2023
A Z

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ndodhte në Slloveni për një vizitë zyrtare. Kreu i shtetit tha se marrëdhëniet mes dy shteteve janë të mira dhe se dialogu politik është në nivele të larta. Ai tha se Shqipëria e konsideron Slloveninë si partnere, jo vetëm rajonale, por dhe evropiane.

“Momenti i kësaj vizite, përkon me zhvillime të rëndësishme si për rajonin ashtu edhe mbarë botën. Ndajmë pikëpamje se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të mira dhe dialogu politik është në nivele të larta. Ne e konsiderojmë Slloveninë një partner të rëndësishme rajonale dhe evropiane. Shprehja mirënjohjen për mbështetjen që Sllovenia i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë në BE”, tha Begaj.

Presidenti tha se i ka kërkuar homologes sllovene, që të ndikojë sa mundet për rivendosjen e fluturimeve direkte Slloveni-Shqipëri, si një mundësi bashkëpunimi në fushën e turizmit, por dhe në rritjen e bizneseve.

“Kërkova nga presidentja që të ndikojë sa mund në rivendosjen e linjës ajror Lubjanë-Tiranë, linjë e cila në të shkuarën ka qenë shumë e suksesshme dhe mund ti japë një shtysë shumë të madhe bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe ndërveprimit të biznesit”, shtoi ai.

Mes tjerash, Begaj komentoi situatën në Ballkan, ndërsa tha se popujt kanë nevojë për prosperitet dhe nuk duhet të mbesin peng i së shkuarës.

“Rajoni ynë përballem me disa çështje sensitive, të cilat janë të trashëguara nga e kaluara, për të cilat nuk duhet të mbesim pengu i tyre. Duhet të mendojmë për çështjet që i interesojnë popujve tanë për të sot, por edhe të ardhmen, për të garantuara një prosperitet, sidomos për rininë” theksoi Begaj.

Ndërkohë, presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, u shpreh se “do kemi mundësi të mëdha për bashkëpunim” me Shqipërinë në disa fusha./ abcnews.al

Të ngjashme