Google ADS

Begaj në Lushnjë: Promovim markave vendase të produkteve bujqësore

12:07 | 5 Nëntor 2024
E.K

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në bashkinë e Lushnjës, ku u njoh me zhvillimin dhe problematikat e ekonomisë bujqësore, e cila zë peshën kryesore në zonën e Myzeqesë, por dhe një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit.

Gjatë kësaj vizite, Presidenti Begaj bisedoi me autoritetet lokale, kryebashkiaken Eriselda Sefa dhe me fermerët, teksa vizitoi edhe disa fabrika vaji ulliri dhe serrat me produkte bujqësore në njësinë administrative të Ballagatit.

Presidenti i Republikës vlerësoi përpjekjet e banorëve në bujqësi, duke i falënderuar për punën, djersën, mundin dhe sakrificën.

Vizitën në Lushnje Presidenti Begaj e konsideroi si një mundësi për të dhënë kontributin modest, për të ndihmuar në marketimin dhe krijimin e markave vendase të produkteve bujqësore të zonës.

“Erdha për t’ju thënë faleminderit! Djersa, puna juaj, e ka bërë këtë vend të bukur, të mrekullueshëm! Duhet të vijmë më shpesh, t’ju takojmë, t’ju dëgjojmë e t’ju ndihmojmë. Ju të gjithë, burra e gra, që punoni me ndershmëri, jeni krenaria jonë”, u shpreh Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit vlerësoi po ashtu edhe banorë të zonës që janë kthyer nga Italia, Greqia apo Gjermania dhe po investojnë në tokat e tyre me kultivimin e ullinjve e të produkteve bujqësore, me fabrika e serra të teknologjisë së fundit.

Presidenti i Republikës i nxiti këta sipërmarrës të ndërtojnë modele agroturizmi që të arrijnë përfshirjen e kësaj zone të mrekullueshme nga natyra dhe dora e njerëzve të saj punëtorë në hartën e pikave turistike të vendit.

Presidenti Begaj përshëndeti, gjithashtu, edhe nismat e komunitetit për organizimin e përbashkët në shoqëri dhe shoqata për të konkurruar në treg me markat e tyre./atsh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme