Google ADS

Begaj në Kalabri, nderon me çmime 6 personalitete arbëreshe për kontribut patriotik

19:21 | 22 Tetor 2023
E.G

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u takua me komunitetin arbëresh dhe autoritetet vendore në Macchia Albanese, San Cosmo Albanese, Vaccarizzo Albanese dhe San Giorgio Albanese në ditën e 3 të vizitës së tij në Kalabri.

Presidenti Begaj vizitoi shtëpinë e Jeronim De Radës në Macchia Albanese, vendosi kurorë lulesh në bustin e tij dhe vizitoi varrin ku prehet rilindasi arbëresh, në Kishën e Shën Mërisë së Konstandinopojës.

“Arbëreshët e Italisë kanë shumë për t’u krenuar. Por ju të Macchia Albanese keni shumë më shumë arsye, pasi mbani në gjirin tuaj rilindasin Jeronim De Rada, poetin e madh që i këndoi e dha kontribut për Shqipërinë. Unë jam rritur me De Radën e më vjen keq që erdha pas kaq vitesh ta takoj atë. Ju faleminderit të gjithëve për gjithë atdhedashurinë tuaj të pamasë”, deklaroi kreu i shtetit.

Presidenti Begaj nderoi poetin tjetër arbëresh, Zef Serembe, me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe vendosi një kurorë me lule pranë statujës në San Cosmo Albanese.

Bashkë me Kryetarin e Bashkisë, Presidenti Begaj ndau çmime për gjashtë personalitete arbëreshe të komunës për kontributin patriotik. Presidenti Begaj vendosi një kurorë lulesh edhe në bustin e Skënderbeut.

Në ceremoninë e mbajtur në San Cosmo Albanese, Begaj falenderoi të pranishmit për mikpritjen duke u shprehur: “Të dëgjosh në San Cosmo Albanese këngën “Jam Kosova – Jam Shqipëria” nga femijët arbëresh ishte vërtet një emocion i jashtëzakonshëm. Shqipëria-Arbëria-Kosova, jemi të lidhur nga ADN me atdhedashuri. Kjo është e jashtëzakonshme”!

Presidenti Begaj deklaroi se gjatë gjithë takimeve ka gjetur mbështetje për projekte të reja Shqipëri-Kalabri, përfshirë edhe fushën e turizmit.

“Jam i bindur se përmes promovimit dhe mbështetjes së bashkëpunimit midis Rajonit të Kalabrisë dhe Shqipërisë, do të krijohen mundësi të shumta shkëmbimesh në fusha të ndryshme e me interes të ndërsjellë, me një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në industrinë turistike e kulturore,” u shpreh ai.

Ndërsa vlerësoi rritjen e turizmit gjatë këtij viti në Shqipëri, Presidenti Begaj apeloi për hartimin e një një programi të përbashkët strategjik.

“Këto potenciale turistike shqiptare, si dhe potencialet e konsoliduara turistike të Rajonit të Kalabrisë, që laget nga dy dete dhe me peizazhe të mrekullueshme, na bëjnë optimistë për mundësitë e panumërta të bashkëpunimit të koordinuar dhe të integruar në fushën e turizmit.”

Në takimin që zhvilloi me sipërmarrës të shoqatës “ Lions Club Arbëri” në San Demetrio Corone, kreu i shtetit propozoi hapjen e zyrave operacionale të afta për të përfituar nga avantazhet e rëndësishme përsa i përket investimeve.

“Ju ftoj ta shikoni vendin tonë si një horizont miqësor për aktivitetet tuaja ndërkombëtare të ardhshme, sepse ka shumë interesa të ndërsjella që pasqyrojnë mundësitë sipërmarrëse dhe të punës, që nga këtu, sot, nga Arbëria e Kalabrisë, mund të vendosim të fillojmë së bashku, duke parë me entuziazëm të ndërsjellë ndërtimin e aktiviteteve dhe nismave që mund të plotësojnë kërkesat e ndryshme që kërkojnë përgjigje konkrete”, deklaroi Presidenti Begaj. /tvklan.al

Të ngjashme