Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka marrë sot në progres-raportin e Komisionit Evropian. Dokumenti i është dorëzuar nga vetë ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Nga ana e tij, Begaj thotë se “Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të avancimit të pandalshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”.
Ai shtoi se progres-raporti do ta nxitë Shqipërinë të punojnë më shumë për të arritur objektivin; atë të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Ditë e mirë për Shqipërinë! Kënaqësi të prisja sot Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili më dorëzoi zyrtarisht progres-raportin për Shqipërinë.
Përfundimisht, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të avancimit të pandalshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Progres-raporti na nxit të punojmë fort të gjithë së bashku për të arritur objektivin tonë”, shkruan Begaj në rrjetin social, në Facebook, shoqëruar me foton nga marrja në dorëzim të progres-raportit të KE-së.
Ndërkaq, referuar progres-raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, vlerësohen arritjet e deritanishme të Shqipërisë, sidomos progresin e bërë në luftën kundër korrupsionit.
Teksa vlerëson rezultatet e reformës në drejtësi, KE rekomandon se Shqipëria duhet të bëjë edhe më shumë në fushën e sundimit të ligjit.
Gjithashtu në progres-raport mbështetet ambicia e qeverisë shqiptare për të përmbyllur negociatat për anëtarësimin deri në fund të 2027.
Teksa përshëndet hapjen e negociatave për grupkapitujt themelore, KE thekson se nëse vijohet me ritmet pozitive Komisioni mbështet hapjen e negociatave për grupin 6 “Marrëdhëniet me Jashtë” deri në fund të këtij viti.
Progres raporti vlerëson përafrimin e politikës së jashtme të Shqipërisë me atë të BE, ku shton se kjo dëshmon se është një partner i besueshëm ndërkombëtar.
“Në Shqipëri, autoritetet kanë deklaruar vazhdimisht angazhimin e tyre politik për integrimin në BE si prioriteti kryesor strategjik i vendit dhe kanë ruajtur një nivel të lartë ambicie për të ecur përpara në negociatat e anëtarësimit.
Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në reformat nën grupin themelor, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe procesin e vetingut, përfundimi i të cilit janë rezultatet e mira në çështjet e antikorrupsionit dhe duke rritur kapacitetet e saj në hetimet financiare kundër krimit të organizuar.
Angazhimi aktiv i Shqipërisë gjatë mandatit të saj si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së deri në fund të vitit 2023, si dhe të dhënat e saj të përafrimit të plotë me politikën e përbashkët dhe të jashtme të sigurisë së BE-së, dëshmojnë për zgjedhjen e saj strategjike për anëtarësimin në BE dhe rolin e një partneri të besueshëm ndërkombëtar.
Pas konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit në korrik 2022, seancat e shqyrtimit për të gjashtë grupet e acquis të BE-së përfunduan në nëntor 2023.
Në fund të vitit 2023, Komisioni i paraqiti Këshillit raportin e vlerësimit të standardeve hapëse, ku ai arriti në përfundimin se Shqipëria kishte përmbushur kërkesat për hapjen e negociatave për grupin themelor. Komisioni përshëndet hapjen e negociatave mbi grupin themelor në konferencën e dytë ndërqeveritare të mbajtur më 15 tetor, e cila shënoi një moment kyç në rrugën drejt anëtarësimit. Komisioni gjithashtu mbështet hapjen e negociatave për grupin 6 – Marrëdhëniet me Jashtë deri në fund të vitit nëse trendi pozitiv vazhdon.
Qeveria shqiptare sinjalizoi objektivin e saj për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 dhe Komisioni është i gatshëm të mbështesë këtë objektiv ambicioz.
Për këtë qëllim, është thelbësore që autoritetet të intensifikojnë më tej ritmin e reformave të orientuara drejt BE-së, veçanërisht në sundimin e ligjit, duke konsoliduar zbatimin e ligjit, luftën efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe promovimin e të drejtave themelore, duke përfshirë lirinë e medias, të drejtat e pronës dhe pakicat”, shkruhet në progres-raport.
/rtsh.al/
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...
Shënoi gol dhe asistoi, Korenica shpallet lojtari i ndeshjes...
Fejohet Kida, merr propozim për martesë nga i dashuri i saj
Mbappe dhe Valverde të “pamëshirshëm”, realizojnë dy supergo...
Tottneham dhe Liverpool mbyllin xhiron e 17-të, këto janë 11...
Kritika ndaj autoriteteve gjermane pas sulmit në tregun e Kr...