Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj mori pjesë këtë të shtunë në ceremoninë e kremtimit të 120 vjetorit të shkollës së Iballës në Pukë, e para shkollë shqipe e hapur në malësinë e Pukës nga “shkollari” Kol Zezaj, ku kanë mësuar shkrim e këndim mijëra nxënës.
Në përvjetorin e shkollës, komuniteti i Iballës organizoi një ceremoni që bëri bashkë të shkuarën dhe të sotmen duke risjellë në vëmendje personalitetet e dala nga kjo shkollë, kontributi i të cilëve është shënuar në momentet më kyçe të historisë së Shqipërisë.
Në fjalën përshëndetëse, Kreu i Shtetit vlerësoi përpjekjet e komunitetit për kapërcimin e sfidave si edhe angazhimin e mësuesve të Iballës për të përcjelle dije ndër breza.
Begaj mori në disa aktivitete siç ishin çelja e muzeut të shkollës, nderimi që iu bë kontrubuesit të hapjes së kësaj shkolle ”Frrok Kol Pemati”, ceremonia e emërtimit të rrugës “I Lumi Fran Miraka” dhe një koncert nga artistë të Iballës të ardhur nga gjithë bota.
Në ambientet e shkollës u ekspozuan librat e autorëve të dalë nga kjo shkollë dhe tablo pikturash për peisazhin e kësaj malësie.
Fjala e plotë e presidentit Begaj:
Ju falemnderit për ftesën për të festuar bashkë 120-vjetorin e shkollës suaj, e cila ka hyrë më krenarinë që i takon në historinë e shkollave të para shqipe.
Nuk vij sot këtu për t’ju treguar historinë e kësaj shkolle, por për t’ju bashkuar festimeve e gëzimit të vijimit të traditës së kultivimit të dijes e mësimit shqip në fshatin e zonën tuaj.
Këto vise kanë nxjerrë shumë patriotë e njerëz të dijes, por kur përmendet shkolla e Iballës, dëshiroj të veçoj emrin e nderuar të një patrioti të shquar e mjeshtri të shqipes si Dom Ndre Mjeda dhe vëllait të tij Imzot Lazër Mjeda.
Ne të gjithë e duam shqipen, e shumë autorë shqiptarë i kanë kushtuar vargje asaj. Por, disa prej tyne dallohen për melodinë që i rrjedh në vargje, për përkushtimin që kanë për çdo tingull, e për bukurinë mahnitëse më të cilën e flasin gjuhën tonë. I tillë është Ndre Mjeda, bir i këtyre trojeve, shqiptar i kulluar e mjeshtër i shqipes.
Festimet e sotme janë edhe një mundësi për ne për të reflektuar mbi mësimin e gjuhës shqipe në vendin tonë.
Në mesazhin që i kam drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në fillimin e sezonit parlamentar kam vënë veçanërisht theksin në mësimin e gjuhës shqipe. Duhet të insistojmë e kujdesemi për cilësinë e këtij mësimi dhe cilësinë e shqipes që përdorin fëmijët tanë.
Kam sugjeruar që shkolla, veçanërisht me anë të mësimit të gjuhës shqipe, të kthehet në vatër angazhimi për prindër e komunitete të cilët punojnë bashkërisht që gjuha jonë të përdoret e kultivohet me përkujdesjen që i takon.
Historia e shkollës suaj e tregon fort qartë sa e shenjtë ashtu gjuha për ne shqiptarët.
Ju keni bërë shumë për fshatin tuaj. Ne si shtet kemi përgjegjësinë të bëjmë edhe më shumë që kjo pasuri të ruhet, kultivohet.
Puna juaj meriton më shumë mbështetje, më shumë promovim, më shumë të ardhura.
Në këtë kuptim sidomos vitet e fundit janë bërë hapa shumë të rëndësishëm, por në rrugëtimin tonë, tashmë të përshpejtuar drejt Bashkimit Europian, duhet e do të bëjmë dhe më shumë për këto zona të një pasurie të veçantë traditash lokale, historike shqiptare e natyrore europiane.
Zona juat është dështmi e peripecive, përpjekjeve edhe fitoreve tuaja ndër vite. Ato janë pjesë e trashëgimisë që duhet ta njohim më mirë, ta mbrojmë më shumë, e ta promovojmë më tepër.
Në këtë zonë e pikërisht në këtë fshat jemi shumë me fat, sepse mund të promovojmë një paketë të plotë lokale të standarteve më të mira ambjentaliste që përfshin eksperiencë në natyrë, vizita historike e prodhime lokale me shije e cilësi unike. Sepse ato kanë dalë nga pastërtia, bukuria e këtij ambjenti, dhe traditat që ju i ruani e kultivoni ndër shekuj në familjet tuaja.
Para se ta mbyll, dua t’ju përgëzoj e uroj për këtë vatër kulture, dijeje e suksesi shqiptar që keni kultivuar ndër shekuj./abcnews
E akuzoi qeverinë për djegien e IML-së, Haxhiu i bën thirrje...
Sulmi terrorist në Ibër-Lepenc, arrestohet edhe një person –...
Gërvalla niset për në Bruksel, do të paraqes situatën aktual...
U akuzua që nuk solli njohje të reja, Kurti: Nuk i kemi prem...
Maqedonci: Në asnjë moment, në asnjë rast, ushtarët e FSK-së...
Kurti – ambasadorëve: Radoiçiqi vazhdon të organizoj s...