Google ADS

Begaj: Forcat tona të Armatosura të jenë në lartësinë e sfidave të kohës

19:55 | 13 Shkurt 2024
KRG

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka bërë thirrje që Forcat e Armatosura të Shqipërisë të jenë në lartësinë e sfidave të kohës.

Zoti Begaj mori pjesë të martën në stërvitjen “Mbrojtja e Qëndrueshme” të grupbatalionit të Këmbësorisë së lehtë të Forcave të Armatosura.

Presidenti tha se “kjo stërvitje kryhet në të njëjtën kohë me zhvillimin e stërvitjes më të madhe ushtarake të NATO-s prej dekadash, “Steadfast Defender 24”. Nëpërmjet kësaj stërvitjeje, NATO po tregon se është një aleancë e fuqishme, e aftë dhe e gatshme për të mbrojtur popullsinë dhe territorin e vendeve anëtare në hapësirën euroatlantike nga të gjitha kërcënimet, në një qasje 360 gradë”.

Presidenti shqiptar kujtoi se “Jo shumë larg nga këtu, prej dy vjetësh, vijon agresioni i paligjshëm rus ndaj Ukrainës. Qëndresa dhe heroizmi i ushtrisë dhe popullit ukrainas janë burim frymëzimi në mbrojtje të vlerave të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë. Shqipëria do vijojë të mbështesë Ukrainën, në koordinim të plotë me partnerët strategjikë dhe NATO-n”, tha presidenti Begaj.

Ai u shpreh se “situata në Lindjen e Mesme është e rënduar dhe rrezikon përfshirjen e aktorëve të tjerë. Rreziku nga përshkallëzimi i këtyre vatrave të nxehta është real. Edhe rajoni ynë, Ballkani Perëndimor, i cili ka vuajtur nga historia e konflikteve dhe përplasjeve ka një situatë sigurie të brishtë. Aktorë me ambicie gjeopolitike kundër vlerave Euroatlantike mund të shfrytëzojnë dobësitë dhe aleancat ideologjike apo etnike në rajon për të hapur vatra të reja konflikti”.

Duke folur për Kosovën, Begaj theksoi se “prej më shumë se një viti, siguria në veri të Republikës së Kosovës është cenuar disa herë. Goditja ndaj trupave të KFOR-it dhe akti terrorist në Banjskë pak muaj më parë ishin provokim dhe rrezik serioz kundër paqes dhe stabilitetit në rajon’.

Sipas tij, konsolidimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe roli i NATO-s, nëpërmjet misionit KFOR, janë thelbësor për garantimin e sigurisë.

“Shqipëria qëndron gjithnjë krah Kosovës në rrugëtimin e saj si shteti më i ri i Evropës. Ne e bëjmë këtë, jo thjesht se jemi dy shtete të një kombi, vëllezër të një gjaku, por, sepse mbështetja për Kosovën është mbështetje për sigurinë, paqen dhe të ardhmen në rajon. Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe anekset e saj në Ohër janë rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe njohjes reciproke”, nënvizoi Begaj.

Në këtë kontekst, vijoi Begaj, stërvitja merr një tjetër kuptim dhe rëndësi.

“Ju, si pjesëmarrës në këtë stërvitje, dhe e gjithë trupa e Forcave të Armatosura, jeni vija e parë e mbrojtjes dhe garantimit të sigurisë dhe paqes. Roli juaj për Shqipërinë dhe shqiptarët është jo vetëm jetik, por edhe strategjik. Shqipëria ka qenë dhe mbetet Euro-Atlantike në frymë dhe në veprim. Si popull historikisht paqedashës, orientimi ynë është paqja dhe siguria, ndaj sot është me rëndësi jo vetëm solidariteti me vlerat e vendeve të tjera anëtare, por edhe forcimi i mëtejshëm i lidhjeve transatlantike”, tha Begaj.

Kreu i shtetit u shpreh se “NATO, që këtë vit feston 75-vjetorin, është mishërim i mbrojtjes kolektive të një komuniteti vlerash, ku Shqipëria ka nderin të jetë pjesë. Forcat tona të Armatosura janë zhvilluar shumë që nga koha e anëtarësimit në Aleancë. Vijimi i modernizimit të tyre sot është çështje e sigurisë kombëtare. Kjo i jep vlerë edhe faktit që buxheti për mbrojtjen është në masën 2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së)”.

“Fondet duhen shpenzuar me eficiencë për të siguruar rritje cilësore të kapaciteteve të Forcave të Armatosura. Vlerësoj çdo iniciativë në drejtim të mbështetjes së sigurimit të mirëqenies së personelit të Forcave të Armatosura, sepse për mbrojtjen e vendit nuk shpenzohet, por investohet për sigurimin e të tashmes dhe të së ardhmes”, shtoi Begaj.

Më tej Begaj tha se “Forcat tona të Armatosura janë zhvilluar shumë herë krahasuar me 15 vite më parë. Ky imazh dhe mesazh duhet të reflektojë ndryshimet që kanë ndodhur dhe të përcjellë modernizimin, rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe misionin mbrojtës dhe paqeruajtës. Mbi të gjitha duhet të transmetojë misionin thellësisht patriotik që ju përmbushni. Ky komunikim duhet të ndodhë sidomos me brezin e ri”.

“Të jesh pjesë e Forcave të Armatosura sot nuk është thjesht një profesion, është çështje krenarie kombëtare dhe patriotizmi”, përfundoi presidenti Bajram Begaj./ rtsh.al /

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme