Brukseli ka konfirmuar nëpërmjet Komisioneres së re për Zgjerimin, Marta Kos, objektivin që negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë të mund përfundojnë deri në fund të vitit 2027. Ky objektiv u paraqit edhe nga qeveria shqiptare pak ditë më parë.
“Do të jetë një fitore e madhe për Shqipërinë, por edhe për ne, kur ky shtet të anëtarësohet në familjen evropiane. Besoj se negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë mund të përfundojnë deri në fund të vitit 2027. Shqipëria ka ecur me hapa pozitive përpara në rrugën e reformave. Duhet që arritjet e Shqipërisë të merren si shembull nga shtetet e tjera të rajonit”.
Në fjalën e saj para eurodeputetëve, Komisionerja e re e Zgjerimit, Marta Kos, citoi Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen se zgjerimi është një katalizator për reformën e brendshme të BE-së. Sipas saj, pa përshtatur funksionimin e institucioneve të BE-së dhe mënyrën e vendimmarrjes, do të jetë e vështirë të realizohet një zgjerim më i madh.
“Është e qartë se anëtarësimi në BE është një maratonë, jo një vrapim në distanca të shkurtra. Hapat e shteteve kandidate duhet të bazohen në arritjet e tyre konkrete dhe përparimin ne reforma pa rrugë të shkurtër. Dua që procesi i zgjerimit të jetë i parashikueshëm dhe i besueshëm. Negociatat e anëtarësimit do të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe të drejta. Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet reformës në drejtësi dhe respektimit të shtetit të së drejtës”.
E pyetur nga deputetët bullgarë për qëndrimin e qeverisë së re maqedonase për të mos përfshirë pakicën bullgare në kushtetutë, Marta Kos shpjegoi se BE pret që Shkupi ta ndryshojë Kushtetutën siç kishte rënë dakord qeverisja e kaluar. Ajo tha se bashkëpunimi rajonal është kyç në procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor./Klan News
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...
Gjimshiti triumfon ndaj Ismajlit, Atalanta rikthehet në krye...
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë...