Pas Presidentit të Këshillit Evropian, edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen mbështet propozimin e kryetarit të OSBE-së, Edi Rama për ndërmjetësim të OSBE-së në Bjellorusi.
BE dhe ShBA mbështetje të fortë propozimit të kryetarit të OSBE-së, Edi Rama për situatën në Bjellorusi
Pas Presidentit të Këshillit Evropian, edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen mbështet propozimin e kryetarit të OSBE-së, Edi Rama për ndërmjetësim të OSBE në Bjellorusi.
Ajo u shpreh se, “ne jemi të gatshëm të angazhohemi në të gjitha mënyrat e mundshme për të shoqëruar tranzicionin paqësor demokratik të pushtetit në Bjellorusi. Ne mbështesim hapjen e dialogut midis autoriteteve dhe opozitës”.
Ajo ritheksoi mbështetje të fortë për rolin e OSBE-së. “OSBE-ja mund të kërkojë mënyra për të lehtësuar dialogun në Bjellorusi. Bjellorusia është anëtare e OSBE-së. Nuk është aq shumë për ndërmjetësimin, por për hapjen e kanaleve të komunikimit brenda Bjellorusisë”, tha ajo.
Pak ditë më parë Kryesia e OSBE-së me anë të një deklarate theksoi se vazhdon të ndjekë me vëmendje situatën në Bjellorusi.
“Ne ritheksojmë shqetësimet tona për zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit 2020, të cilat nuk mund të vëzhgoheshin nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, dhe përdorimi joproporcional i forcës kundër protestuesve paqësorë, ndalimet e shumta dhe torturat dhe keqtrajtimet e dyshuara nga forcat e sigurisë.
Një dialog i hapur dhe konstruktiv është i nevojshëm për të gjetur një rrugëdalje në Bjellorusi. OSBE-ja është e gatshme ta mbështesë këtë dhe të angazhohet me të gjithë aktorët e interesuar.
Kryetari i OSBE-së, Kryeministri dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryetari i ardhshëm i OSBE-së, Ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, shprehën angazhimin që të takohen me qeverinë dhe përfaqësuesit e opozitës.
Kryesia e OSBE-së rithekson nevojën urgjente për pajtim të plotë me parimet dhe angazhimet e OSBE-së, përfshirë promovimin dhe mbrojtjen e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut si edhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial”, përfundon deklarata e OSBE-së.
Ndërkaq, edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i ka kërkuar qeverisë së Bjellorusisë të pranojë ofertën e kryetarit të OSBE-së për të lehtësuar dialogun dhe të angazhojë të gjithë palët e interesuara.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë , ka realizuar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, me fokus krizën në Bjellorusi dhe zhvillimet në Ukrainë.
Në një njoftim të Ambasadës së Rusisë në Tiranë të publikuar në rrjetet sociale, thuhet se: “Ministri Lavrov vuri në dukje se është e nevojshme që bjellorusët të lejohen të zgjidhin vetë punët e tyre, të mos ketë ndërhyrje në dialogun midis autoriteteve dhe shoqërisë dhe t’u mos u imponohet shtetasve bjellorusë asgjë nga jashtë, në mënyrë që të shmanget përvoja e trishtë e ‘ndërmjetësimit evropian’ në Ukrainë në shkurt 2014″.
Gjithashtu theksohet se Rama dhe Lavrov “rikonfirmuan rolin e rëndësishëm të Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin e brendshëm ukrainas, duke përfshirë nevojën për të përgatitur raporte objektive për atë që po ndodh në të dyja anët e linjës së kontaktit në Donbas”.
Protestat masive kundër rezultateve të zgjedhjeve kanë filluar që nga 9 gushti në gjithë Bjellorusinë. Sipas rezultateve zyrtare të vendit, Alexander Lukashenko, i cili ka qeverisur Bjellorusinë për 26 vite, fitoi zgjedhjet e fundit me 80,1 për qind të votave. Rivalja e tij kryesore, Svetlana Tikhanovskaya, grumbulloi vetëm 10,12 për qind të votave.
-Shqipëri: Plani i vjeshtë-dimrit për përballimin e COVID-19
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ogerta Manastirliu, nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ka bërë të ditur se këtij spitali i është shtuar një ekip i ri prej 48 infermierësh, të cilët po shërbejnë në Spitalin Infektiv, ku prej më shumë se 5 muajsh po trajtohen të prekurit me COVID-19.
Duke theksuar se deri tani janë 150 punonjës që i janë shtuar sistemit shëndetësor gjatë periudhës së epidemisë në Shqipëri, Manastirliu është shprehur se forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore është një parapërgatitje për periudhën vjeshtë-dimër, ku mund të nevojitet që strukturat e reja spitalore, tashmë të bëra gati, të hapen për të përballuar fluksin.
“…Jam shumë e kënaqur që të rinjtë i bashkohen stafeve tona mjekësore dhe janë 48 infermierë që së fundmi i janë bashkuar ekipit të QSUT-së dhe pikërisht Spitalit Infektiv. Tashmë sistemit shëndetësor po i shtohet një armatë e re infermierësh, për të mbështetur ekipet tona shëndetësore. Gjatë kësaj periudhe, kemi rreth 150 punonjës që i janë shtuar sistemit shëndetësor, qoftë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe gjithashtu ekipeve të monitorimit, kontrollit dhe inspektimit në terren…”, tha Manastirliu.
Duke folur për përballimin e situatës në vjeshtë-dimër, Manastirliu tha se po bëhemi gati për hapjen e strukturave të tjera spitalore, në rast të rritjes së fluksit.
“…Plani vjeshtë-dimër, jo vetëm që na ka orientuar drejt fuqizimit të kapaciteteve sa i përket infrastrukturës dhe pajisjeve biomjekësore, por tashmë rritja e numrit të stafeve tona infermierore i shërben cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve që vuajnë nga COVID19. Jam e kënaqur që kemi mundësinë që jo vetëm të punojmë së bashku me ekipin e ri, por edhe të kemi mundësinë që në një kohë si kjo e sotmja të trajnojmë ekipe të infermierëve, të cilët më pas do të jenë të gatshëm edhe për të përballuar situatën në vjeshtë-dimër, kur mund të kemi dhe hapje të strukturave të tjera spitalore dhe sigurisht t’i paraprijmë me ndërtimin dhe formimin e ekipeve tona të infermierëve dhe paralelisht edhe të mjekëve…”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se pavarësisht situatës së vështirë të krijuar nga pandemia e virusit Sars Cov2, sistemi shëndetësor nuk e ka ndaluar punën në asnjë moment dhe aktualisht po jep shërbim me kapacitete të plota edhe për të gjithë qytetarët.
-Interesim i madh për tu regjistruar në Shkollat Turke Maarif në Shqipëri
Përfaqësia e Fondacionit Maarif të Turqisë-TMV në Shqipëri ka deklaruar se shkollat e këtij fondacioni në Shqipëri, të njohura si “International Maarif Schools of Albania”, realizuan pa ndryshim të orarit gjithë planprogramin e vitit shkollor 2019-2020, një pjesë e të cilit vijoi online për disa muaj si pasojë e pandemisë globale të koronavirusit të ri.
Kjo përfaqësi deklaron gjithashtu se pandemia Covid-19 u shfaq si një situatë befasuese dhe se fondacioni u mobilizua me shpejtësi për të hartuar planet për arsimin dhe aktivitetet online.
“Si rezultat i vëzhgimeve që i bëmë gjatë këtij procesi, ne pamë që nxënësit tanë në fillim kishin vështirësi psikologjike dhe mendonin se situata negative përreth do të ndikonte në shkollat e tyre dhe arsimi i tyre do të kishte pengesa. Megjithatë, ne si TMV, pas takimeve dhe studimeve të shpeshta me gjithë kolegët tanë, vendosëm në funksion arsimin dhe aktivitetet në internet në një kohë të shkurtër diku rreth një javë. Mbuluam të gjitha kurrikulat dhe provimet e përgatitura për arsimin formal në fillim të vitit shkollor, pa ndryshuar ditët dhe orët e mësimeve”, thuhet në deklaratë.
“Pasi bëhej fjalë për një praktikë të re, në fazën e parë ishte e vështirë për nxënësit të mësoheshin me situatën. Megjithatë, reagimet që morëm nga nxënësit dhe prindërit brenda një kohe të shkurtër, na treguan edhe një herë se sa e duhur dhe kuptimplotë ishte praktika që zhvilluam. Përveç mësimit online, aktivitetet tona si netët e talenteve online, kurset online falas të maturës dhe kurset kompensuese të hapura për të gjithë, neve na vendosën në radhë të parë. Dhe pas një kohe, ne pamë se kishim “nxënës online” të cilët nuk ishin zyrtarisht nxënës tanë, por që morën pjesë në klasat dhe aktivitetet tona në internet për shkak të cilësisë së punës sonë”, deklaron në mes tjerash Fondacioni Turk Maarif.
Në lidhje me procesin e regjistrimit për vitin mësimor 2020-2021 në shkollat Maarif, fondacioni tha se interesimi për vitin e ri mësimor është rritur si rezultat i mundësive të ofruara nga TMV në kohë të vështira dhe punimeve të zhvilluara nga punonjësit e saj.
“Përkundër pasigurive që burojnë nga COVID-19 këtë vit, ka një interes të konsiderueshëm dhe rritje në numrin e nxënësve në të gjitha nivelet”, tha TMV.
Fondacioni deklaroi se është afër mbushjes së kapaciteteve në nivelet K12 në Tiranë dhe se dy klasa të reja janë hapur në shkollën e mesme në Elbasan, ndërsa sukses është arritur edhe në regjistrimet në nivelin universitar.
Ndërkaq, lidhur me atë se si do të zhvillohet viti i ri shkollor nëse pandemia COVID-19 do të vazhdojë tutje, TMV theksoi se gjatë verës janë bërë plane mbi procesin arsimor mbi të gjitha rrethanat e mundshme në të cilat mund të zhvillohet arsimi dhe se shkollat Maarif në Shqipëri veprojnë në kuadër të ligjeve të shtetit shqiptar.
“Në këtë rast, ne jemi në pritje të vendimit të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit të Shqipërisë. Kemi përfunduar planet tona për të gjitha alternativat. Kemi hartuar plane për katër alternativa: arsimin formal, arsimin online, arsimin me orar të përgjysmuar dhe arsimin me dy ndërrime. Ne do të fillojmë punimet e nevojshme për modelin arsimor që do të zbatohet pas vendimit të ministrisë”, citon Përfaqësia e Fondacionit Maarif në Shqipëri.
Fondacioni Maarif i Turqisë administron disa institucione arsimore në Shqipëri, si Universitetin “New York Tirana” , gjimnazet “New York High School” dhe “IMSA High School Elbasan”, shkollën 9-vjeçare “New York Basic Education” dhe kopshtin “IMSA Farm-Kindergarten”.
***
-Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë/ Mbi 17 mijë tekste shkollore në 21 vende të ndryshme, përfshihet edhe Turqia
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, çdo vit të ri shkollor siguron mbështetje me tekste mësimore për fëmijët e diasporës shqiptare.
Për vitin shkollor 2020-2021, do të dërgohen 17 079 tekste drejt 21 shteteve të ndryshme të botës.
Konkretisht, këto ditë u nisën tekstet drejt Gjermanisë, Zvicrës dhe Çekisë, ndërsa para pak ditëve janë nisur tekstet drejt Turqisë, Belgjikës, Spanjës, Rumanisë dhe Francës për të vijuar më tej me shtetet e tjera.
“Ndër kënaqësitë më të mëdha të punës sonë është ky moment i vitit! Duke u uruar të gjithë fëmijëve shqiptarë në diasporë, një vit të mbarë shkollor, dëshirojmë t’ju jemi pranë në mësimin e gjuhës amë, me shpresën që të kontribuojë në rritjen e dashurisë për atdheun”, thuhet në njoftimin për shtyp të MEPJ-së.
Nga ana tjetër, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini në vijim të publikimit të disa prej punëve të realizuara deri më tani përgjatë vitit 2020-të ka përmendur edhe mbështetjen me libra shkollorë shqip në Serbi të fëmijëve të shqiptarëve.
“Në vazhdën e punëve të mira gjatë 2020-ës është edhe ndihma konkrete ndaj shqiptarëve në Serbi duke i mbështetur me libra shkollorë shqip për arsimin parauniversitar”, nënvizon ministrja Shahini.
Ndër të tjera, ajo cilëson gjithashtu se jemi “shumë më pranë shqiptarëve të Luginës me qëllim ofrimin e arsimit sa më cilësor në gjuhën shqipe”.
Shqiptarëve në Serbi do t’iu lejohet tashmë përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria, një punë konkrete e realizuar pas një vale të gjatë bashkërendimi mes MASR dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.
Më herët, vetë ministrja ka deklaruar se pas shumë vitesh përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi do u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. “Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm duke bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi”, është shprehur më herët ministrja Shahini.
-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...