Google ADS

Baza ajrore në Kuçovë, Ilir Meta: Investim strategjik

14:38 | 4 Mars 2024
KRG

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e ka quajtur vlerësim nga Aleanca hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë. Në një konferencë për mediat, ai u shpreh se zgjerimi i NATO-s në Ballkan është një kontribut përcaktues për sigurinë, paqen dhe vlerat e demokracisë.

“Partia e Lirisë përshëndet ngjarjen shumë të rëndësishme të hapjes së bazës moderne ajrore të NATO-s në Kuçovë dhe e vlerëson si një investim strategjik për sigurinë tonë kombëtare, atë rajonale dhe të vetë Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Përzgjedhja e Kuçovës si vendndodhje e kësaj baze është një vlerësim që NATO ka për Shqipërinë dhe kontributin e saj në sigurinë e rajonit.

Partia e Lirisë është e përkushtuar që NATO të forcohet më tej si në aspektin politik, ashtu edhe atë ushtarak dhe garanton se do të mbështesë fuqimisht edhe në të ardhmen bashkëpunimin strategjik me Aleancën.

Partia e Lirisë shpreh gatishmërinë për të ndihmuar që Shqipëria të plotësojë të gjitha detyrimet ndaj NATO-s, por edhe për të marrë përgjegjësi të reja. Zgjerimi i NATO-s në Ballkan është një kontribut përcaktues për sigurinë, paqen dhe vlerat e demokracisë”, tha Meta/A2CNN

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme