Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, dalin pamjet e projektit

10:56 | 1 Shkurt 2022
A. B.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar së fundmi pamjet e projektit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.

“Ja si do të jetë Baza Ajrore e Kuçovës, e cila i jep vendit tonë një peshë të re strategjike në skakierën e sigurisë rajonale dhe evropiane,” ka shkruar Rama në një postim në Facebook.

Punimet për bazën e parë të NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor kanë filluar në gjysmën e dytë të muajit Janar.

NATO do të investojë mbi 50 milionë euro në fazën e parë të modernizimit të bazës ajrore të Kuçovës, tha kryeministri Rama pas fillimit të punës muajin e kaluar.

Kuçova do të shërbejë edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe ky investim strategjik i NATO-s në Shqipëri do të sjellë një standard të ri për Forcat e Armatosura, sipas kryeministrit.

Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n duke ofruar transport ajror, mbështetje logjistike, policimin ajror si dhe trajnime dhe stërvitje.

Baza ajrore e Kuçovës, e vendosur rreth 70 km në jug të Tiranës, u ndërtua në vitet 1950 për të pritur avionët e Forcave Ajrore Shqiptare. Shqipëria u anëtarësua në NATO në vitin 2009.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme