Google ADS

Basha: Zgjidhja e krizës politike nuk mund të kalojë nëpërmjet një pazari mes palësh

21:02 | 23 Qershor 2019
Arbresh.info

“Zgjidhja e krizës politike nuk mund të kalojë nëpërmjet një pazari mes palësh”, – deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha një një intervistë për Radio Europa e Lirë.

Sipas tij, “nuk mund të ketë zgjidhje të krizës pa drejtësi dhe pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin që kanë vjedhur zgjedhjet”.

“Me largimin nga parlamenti dhe dorëzimin e mandateve zbuluam para botës se parlamenti dhe qeveria nuk janë produkt i votës së popullit, por i shkrirjes në një të qeverisë, partisë në pushtet dhe krimit të organizuar”, – u shpreh Basha.

Sipas kreut të PD, “ftesat për dialog që bëhen sa për sy e faqe dhe për propagandë janë përpjekje për t’i hedhur hi syve njerëzve”.

Basha nënvizoi se, “përgjimet e ‘Bild’ faktuan skemën për mbajtjen e pushtetit në mënyrë ilegjitime: zgjedhjet janë vjedhur në të gjithë territorin, me të gjitha metodat”.

Sipas tij, asgjë nuk do ta zgjidhë këtë krizë pa u ndëshkuar hajdutët e votave, kriminelë apo politikanë.

Basha theksoi se, “30 qershori nuk është një datë zgjedhjesh. Nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën dhe me 1 kandidat. Në 30 qershor ka një tentativë të një partie të kriminalizuar, që ka braktisur interesin publik dhe që i shërben vetëm karriges, pushtetit dhe pasurimit të kupolës së saj”.

“Shqipërisë i refuzohet prej 3 vjetësh hapja e negociatave, sepse nuk përmbush detyrat në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria nuk ka bërë hapa përpara, por ka bërë hapa pas”, – u shpreh Basha.

“Europa nuk është kundër shqiptarëve. Europa është kundër drogës, kundër qeveritarëve të korruptuar. Nuk shkohet në Europë pa vlerat europiane të zgjedhjeve të lira e të ndershme, pa drejtësi me një standard për të gjithë, pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve”, – deklaroi Basha.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme