Basha reagon ndaj letrës së senatorëve amerikanë

14:56 | 15 Mars 2017
Arbresh.info

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar ndaj letrës së gjashtë senatorëve amerikanë drejtuar sekretarit Amerikan të Shtetit, duke thënë se kryeministri Edi Rama ka paguar firmat më të mira të konsulencës për t’i bërë fresk qeverisë, duke përmendur edhe kontratën e Ramës me Tony Blair.

Grupi i senatorëve amerikanë ka kërkuar të mërkurën nga sekretari i ri i Shtetit Rex Tillerson që të bëjë hetime në detaje lidhur me shpenzimet e parave amerikane në Ballkan, ndërsa në veçanti përmenden Shqipëria dhe Maqedonia.

“Edi Rama ka paguar firmat më të mira të konsulencës për t’i bërë fresk qeverisjes së tij të inkriminuar duke nisur me firmat më të njohura britanike. Ju e dini Toni Bler lidhi kontratë për çfarë? Për propagandë, për fasadë dhe ka përdorur një nga rrjetet më të fuqishme, rrjetin e George Soros, jo për interesat e shqiptarëve, por për të bërë propagandën dhe për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin pas kësaj propagande,” ka thënë Basha.

Lideri i PD-së ka theksuar se Fondacioni për Shoqëri të Hapur dhe ekspertët e saj, të financuar nga USAID, kanë krijuar Dokumentin Strategjik kontrovers për Reformën në Drejtësi të shtetit shqiptar dhe se disa liderë besojnë se këto “reforma” synojnë t’i japin kryeministrit Rama dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi drejtësinë.

Ndryshe, senatorët amerikanë kanë kërkuar hetime urgjente lidhur me atë se si janë shpenzuar paratë amerikane në Departamentin e Shtetit dhe USAID, për të mbështetur grupet politike të orientuara majtas dhe për të imponuar këtë opsion shteteve sovrane.

“Njëra prej grupeve të tilla, e cila ka pranuar para përmes USAID-it është Shoqëria e hapur, fondacion pas të cilit qëndron George Soros”, thuhet në letrën e gjashtë senatorëve amerikanë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme