Basha: Rama po mbron peshqit e mëdhenj

13:41 | 18 Janar 2018
Arbresh.info

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha thotë se pas një propozimi të mazhorancës për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, fshihet një ligj i posaçëm për të mbrojtur “peshqit e mëdhenj” nga drejtësia.

“Edi Rama ka propozuar një ligj të posaçëm, i propozuar gjoja si ndryshim i rregullores, por është një ligj i posaçëm për të mbrojtur peshqit e mëdhenj. Të gjithë ata që prisnin arrestimin dhe vënien para drejtësisë të peshqve të mëdhenj, tani duhet të kënaqen me cironka”, deklaroi Lulzim Basha.

Sipas kreut të demokratëve, ligji e shndërron Kuvendin në gjykatë.

“Ligji propozon që Prokuroria të paraqesë provat në Kuvend dhe gjyqtari të jetë Edi Rama. Kjo do ta kthejë SPAK-un në një organizatë joqeveritare, sepse gjithë pushteti për të vendosur nëse politikanët e korruptuar do të paraqiten para drejtësisë apo jo, do të jetë i mazhorancës, i Edi Ramës”, shtoi ai.

Basha tha se opozita do të votojë kundër, raporton TCH, transmeton Klan Kosova.

“PD do ta kundërshtojë fuqishëm këtë akt i cili ka një synim; zhbërjen e reformës në drejtësi dhe që asnjë peshk i madh të mos dalë para gjykatës. Po bëjnë gjithçka për t’u mbrojtur politikisht nga reforma në drejtësi. Vota kundër është ajo që opozita ka në dorë, të tjerat i kanë qytetarët në dorë në protestën e 27 janarit”, tha Basha.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme