Google ADS

Basha në Kamëz: Me Ramën nuk ka ndryshim

00:55 | 15 Prill 2021
Trina Galanxhi

Një pritje entuziaste i është rezervuar në Kamzë kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kryedemokrati është pritur me entuziazëm dhe brohoritje nga qytetarët, ku si zakonisht nuk kanë munguar thirrjet: “Rama ik”

Surprizuese për Bashën, ishte një banderolë e realizuar nga forumi rinor demokratik në Kamzë, ku shkruhej: “Mirë se vjen kryeministri i ardhshëm”.

Nga krahu tjetër Basha, nuk e fshehu gëzimin e kësaj surprize të ëmbël, teksa theksoi se më 25 prill duhet votuar numri 9, Partia Demokratike, pasi me Ramën nuk ka ndryshim.

“Vëllezër dhe motra të Kamzës, mirë se ju gjej, nga shpirti juaj buron dëshira për ndryshim. Vij nga Paskuqani këtu, me Flamur Nokën për një vizitë në një familje.

Por në fakt të gjithë këtu jemi një familje. Një familje zemra e të cilës rreh me një qëllim, ndryshim më 25 prill. Një familje e ndryshme në përbërje, me nëna të vuajtura, me gjyshe që kanë sakrifikuar gjithë jetën për një ditë të bardhë, me baballarë që janë rraskapitur.

Me studentë dhe studentë që kërkojnë mundësi, për të studiuar, kualifikuar, punuar këtu. Pranë prindërve të tyre, pensionistë e pensioniste që nuk u ngelet një kacidhe. Mijëra familje të hequra nga ndihma ekonomike, racizëm dhe diskriminim politik.

Dhjetëra familje të tjera, nga ky shesh 8 vjet më parë iu premtua legalizim falas, e pastaj u lanë në harresë nga dështimi që troket për herë të tretë. 8 vjet dështim, dështimi fytyrën e të cilit e njihni fare mirë, po troket edhe për 4 vjet. Cila është përgjigjja e Kamzës?

Dua t’ju them se të ndryshëm siç jeni këtu në këtë shesh, anembanë, nga jugu në veri, nga Gjirokastra e Vlora në Shkodër, nga Durrës në Korçë, më 25 prill voton ndryshimin. Ndryshim kërkojnë vogëlushët, ndaj vota e 25 prillit për nënat dhe baballarët është votë për të ardhmen e fëmijëve në gjithë Shqipërinë.

Ndryshimi do të vijë. Pas reve vjen dielli, vjen drita e diellit që po e ndriçon këtë shesh si bekim i zotit, si shenjë që ajo që është vullneti juaj do të bëhet. Ndryshimi është në dorën tuaj. Është në votën tuaj. Nuk ka ndryshim pa larguar Edi Ramën, nuk ka ndryshim, pa hapur rrugën europiane të Shqipërisë, këtë mund ta bëjmë vetëm ne, vetëm PD, vetëm Aleanca për Ndryshim.

Dua t’ju shpreh mirënjohje, në ditët më të zeza të këtyre 8 viteve dimër ekonomik, papunësi, varfëri. Kemi qëndruar krah për krah me njëri-tjetrin. Keni në dorë të bëni ndryshimin me votën tuaj. Dua t’ju pyes, të gjithë ju prindër që fëmijët ju largohen, të jenë këtu e të kenë paga të mira në shtëpinë e tyre. Votoni numrin 9. Për gjithë ju pensionistë e pensioniste që rritja e pensionit të jetë 5%, siç më tha një gjysh, nuk i del pensioni as për një pako cigare. Ulja e çmimit të energjisë e naftës bëhet vetëm duke votuar numrin 9.

Që asnjëri prej ju mos ngelet pa shkolluar, votoni numrin 9. Jemi të ndryshëm, por pa sinorë. Ky bashkim ka marrë formë nga problemet tuaja, dhimbjet, hallet tuaja që i keni ndjerë në zemër. Jemi me ju çdo ditë. Të sjellim ndryshimin më 25 prill, do të punojmë ditë për ditë që ju dhe familjet tuaja ta ndjeni ekonominë, punësimin, mirëqenien në vatrat tuaja. Kamzës dhe Paskuqanit i meriton të udhëheqë energjinë e ndryshimit, çojeni në çdo rrugë, shtëpi, në veçanti tek të pashpresët.

Ngrihuni në këmbë, jepuni krah, merrini me vete në rrugën tonë të ndryshimit. Voton numrin 9. Voton për ndryshimin”, tha Basha.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme