Basha mbyll protestën: Protestuesit, misionarë të lirisë; Ndërkombëtarët të dëgjojnë zërin e shqiptarëve

15:04 | 16 Mars 2019
Arbresh.info

Pasi tërhoqi turmën drejt selisë së partisë Demokratike, lideri i opozitës, Lulzim Basha mbajti edhe një fjalim para protestuesve. Ai i cilësoi pjesëmarrësit në protestë, si misionarë të lirisë, të cilët do të meritojnë mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve ndër breza.

“Dita e sotme hyri në historinë tonë të paskomunizmit, si dita e bashkimit më të madh te sheshi “Dëshmorët e Kombit” dhe për këtë çdo shqiptar sot, e çdo brez në të ardhmen, ju ka borxh një mirënjohje juve misionarëve të lirisë dhe demokracisë”, tha Basha.

Më pas kreu i Partisë Demokratike nxori në pah vendosmërinë e protestuesve, që sipas tij vunë në panik Edi Ramën dhe pushtetin.

“Gjithë bota pa sot me sy vendosmërinë tuaj për të fituar lirinë dhe demokracinë që meritoni. Sot ne pamë se si dridhej nga paniku qeveria e krimit, ndërsa të gjithë ata që mbrojtën mafian në pushtet, do të mbajnë përgjegjësi”, tha kreu i PD-së, raporton top channel.

Në fund të fjalës së tij, Basha pati edhe një mesazh për faktorin ndërkombëtar, që thuajse gjatë gjithë kohës, ka mbajtur një qëndrim kundër me atë të Partisë Demokratike dhe frontit opozitar.

“Dua t’u dërgoj një mesazh miqve tanë ndërkombëtarë, që na kanë mbështetur në këto 29 vite. Nuk ka demokraci pa stabilitet. Mos dëgjoni avokatët e korruptuar dhe njeriun që zhyti Shqipërinë në drogë, por dëgjoni zërin e njerëzve dhe qytetarëve të lirë të shqiptarëve”, tha Basha.

Lideri i opozitës theksoi edhe njëherë se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, dhe do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë, me vendosmëri edhe më të madhe.

Ai theksoi se në Europë nuk shkohet pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa përsëriti paralajmërimin ndaj qeverisë Rama, se nuk do ta lejojnë të qeverisë në mënyrë mafioze vendin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme