Basha mblodhi aleatët për Reformën Zgjedhore

20:49 | 29 Maj 2020
Arbresh.info

Teksa negociatorët e opozitës ndodheshin në tryezën e Këshillit Politik të Reformës Elektorale, Lulzim Basha thirri në selinë blu aleatët e opozitës.

Refuzimi i maxhorancës për identifikimin biometrik të zgjedhësve në të gjithë vendin, si dhe ai për një qeveri kujdestare, ishin në qendër të takimit të kryedemokratit me të vegjlit.

Pas mbledhjes, kreu i republikanëve, Fatmir Mediu tha se opozita është e unifikuar në qëndrimin e saj në tryezë, duke akuzuar maxhorancën se po tenton sërish të manipulojë zgjedhjet.

“Nëse ne kërkojmë qeverisje kujdestare dhe nga qeveria ka refuzim, atëherë ka një ecje drejt manipulimit të zgjedhjeve nga pala tjetër. Refuzimin e maxhorancës për të mos pranuar identifikim biometrik në të gjitha qendrat e votimit”.

Pavarësisht se çështja e sistemit nuk është pjesë e kësaj faze të tryezës së Reformës Zgjedhore, aleatët e Bashës thonë se kanë marrë garanci nga kryedemokrati për ndryshimin e tij në një etapë të dytë. Pak ditë më parë Fatmir Mediu i kërkoi Lulzim Bashës dhe ekspertëve të opozitës që ta shohin me seriozitet propozimin amerikan për sistemin danez./klan

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme