Basha mbledh sot aleatët, gati për aksionin e madh opozitar

08:46 | 8 Janar 2018
Arbresh.info

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, do të mbledhë sot në orën 10:00 partitë aleate për të rakorduar veprimet për aksionin e madh opozitar të paralajmëruar: nisjen e protestave kundër qeverisë.

Më 18 dhjetor 2017, Basha deklaroi në mesditë se “vendimi unanim i opozitës parlamentare është nisja e një vale protestash popullore për të ndalur çmendurinë e narkokryeministrit që sot është edhe prokurori i vendit. Vendimi unanim është nisja që sot e punës për një protestë të madhe popullore në javët e para të janarit,” tha ai.

Deklarata u bë pas mbledhjes së përbashkët të Grupit parlamentar të PD me Grupin parlamentar të LSI, ku të dyja palët rakorduan për hapat e mëtejshëm opozitarë pas kurorëzimit në Kuvend të kryeprokurores së re, Arta Marku vetëm me votat e Partisë Socialiste.

“Pavarësisht prej llomotitjeve dhe çmendurive të Edi Ramës sot, – tha Basha, – faktet për çdo shqiptar dhe gjithë botën janë të thjeshta dhe të qarta. Pas tre vjetësh përpjekjeve kombëtare dhe mbarëkombëtare për Reformë në Drejtësi, sot është emëruar një kryeprokuror pa Vetting, një kryeprokuror vetëm me votat e një partie, të partisë, zyrtarët kryesorë të së cilës janë sot para organit të akuzës për dosje të krimit dhe korrupsionit.

Edi Rama ka realizuar sot një puç kushtetues dhe këtë nuk e fsheh dot askush. Kushtetuta nuk lejon zgjedhjen e një kryeprokurori me më pak se 3/5 e votave. Edi Rama e ka bërë këtë puç me një qëllim: për të mbyllur dosjet e krimit dhe të korrupsionit. Për të mbyllur dosjen e Saimir Tahirit, që t’i mbyllë gojën Saimir Tahirit dhe të sigurojë kështu imunitet për vete dhe familjarët e tij. Për të mbyllur dosjen e Vangush Dakos, për të mbyllur dosjen e Qazim Sejdinit, për të penguar hetimet për korrupsion për Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin, Ilir Beqajn dhe eskortën e zyrtarëve të lartë të kapur në vjedhje flagrante dhe grabitje të pasurive të shqiptarëve.”/syri.net

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme