Google ADS

Basha mbledh grupin për reformën zgjedhore: Shumë shpejt propozime konkrete

17:31 | 6 Janar 2020
L G

Kreu i opozitës Lulzim Basha mblodhi sot grupin e punës për çështjen e reformës zgjedhore, e cila është shpallur një nga prioritetet kryesore të Partisë Demokratike dhe opozitës.

Sipas Bashës dhe aleatëve reforma zgjedhore është rruga më e sigurt për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Burime nga mbledhja e kreut të opozitës me përfaqësuesit demokratë të grupit të punës bënë të ditur se pritet që së shpejti Partia Demokratike të bëjë publike propozimet e veta për reformën zgjedhore, që do t’i hapin rrugë një debati dhe konsultimi publik.

“Reforma zgjedhore nuk ka asnjë përparim, pavarësisht se është 1 nga 9 kushtet e Bundestagut për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian”, thotë PD, e cila bën përgjegjës kryeministrin Rama si pengues të saj.

Edhe vendimin për të shtyrjen me 3 muaj të gjendjes së jashtëzakonshme, PD e interpretoi si një mekanizëm për të penguar reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj, siç e kërkon Bundestagu, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë.

Burime nga takimi pohuan se me propozimet konkrete për reformën zgjedhore, Partia Demokratike synon, veç të tjerash, të nxjerrë në pah edhe angazhimin e opozitës përballë mungesës së vullnetit të Edi Ramës, sipas tyre, për të miratuar me konsensus një reformë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Rreth një muaj më parë, Unioni Ndërkombëtar Demokrat shprehu keqardhjen “për mungesën e vullnetit politik nga partia qeverisëse” dhe njësoj si PPE, i bëri thirrje qeverisë dhe opozitës “të ndërmarrin çdo përpjekje për ta tejkaluar në mënyrë të menjëhershme krizën e thellë politike nëpërmjet dialogut politik.”/ Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme