Google ADS

Basha kujton rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha

12:37 | 20 Shkurt 2021
Arbresh.info

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kujtoi 30-vjetorin e rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha.

Ai thotë se për fat të keq edhe pas 3 dekadash simbolet e komunizmit dhe krimeve të atij regjimi janë rikthyer në rrugët dhe sheshet tona.

Basha thotë se ka edhe të tjerë që për të mbajtur me çdo kusht pushtetin imitojnë diktatorin dhe sot janë kërcënimi më i madh për demokracinë dhe lirinë tonë.

Basha angazhohet për ta ndalur këtë dhe për ta rikthyer Shqipërinë në rrugën e saj europiane.

Reagimi i plotë i Bashës:

30 vjet më parë, shqiptarët rrëzuan shtatoren e diktatorit më të pashpirt që ka parë historia jonë, në një akt sublim çlirimi nga idhujtaria e diktaturës.

20 shkurti i vitit 1991 ishte kremtim i shpresës së re dhe ndryshimit që po lindte pas gjysmë shekulli tiranie. Ishte klithma e shqiptarëve të lirë në shpirt që kumboi pa pushim në thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”

Për fat të keq, në Shqipërinë tonë edhe 30 vite pas rrëzimit të bustit të diktatorit, simbolet e komunizmit dhe krimeve të atij regjimi janë rikthyer në rrugët dhe sheshet tona, për të trembur përpjekjen tonë tridekadëshe për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

Jo vetëm nostalgjikët e viteve të mbrapshta e të zymta të diktaturës, por edhe të tjerë që për të mbajtur me çdo kusht pushtetin imitojnë diktatorin, janë sot kërcënimi më i madh për demokracinë dhe lirinë tonë.

Ne do ta ndalim këtë vërshim ogurzi duke e rikthyer Shqipërinë në rrugën e saj europiane. Shqipëria ka nevojë për ekonomi më të fortë, për shëndetësi dhe kujdes më të madh për gjithë qytetarët, por historia jonë e afërt na ka mësuar se asnjëra nga këto nuk mund të arrihet pa garantuar mbi të gjitha lirinë dhe demokracinë për t’u sjellë si një vend europian.

Unë ju garantoj se me vullnetin tim, angazhimin dhe mësimin edhe nga gabimet e së shkuarës do të përpiqem fort që as edhe hijet më të largëta të asaj kohë famëkeqe të mos jenë prezente në ditët tona.

20 shkurti është festa jonë e çlirimit shpirtëror nga damka e turpshme e diktaturës! Le të jetë edhe dita e besëlidhjes për të mos e lejuar kurrë më rikthimin e hijeve të saj mes nesh!

30 vjet më parë, shqiptarët rrëzuan shtatoren e diktatorit më të pashpirt që ka parë historia jonë, në një akt sublim…

Posted by Lulzim Basha on Saturday, February 20, 2021

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme