Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkon të marrë sërish në dorë negociatat me Greqinë sa i takon çështjes së detit. Edhe pse në vitin 2009 ishte kryedemokrati Basha në statusin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë që firmosi paktin detar me Greqinë, të cilin e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese, dje zoti Basha është ndalur sërish tek kjo çështje.
Duke folur në konferencën e përditshme të shtypit para mediave nga selia blu, shefi i demokratëve e cilësoi si me rrezik aktin e çuarjes në Gjykatën e Hagës të çështjes së kufirit detar, me qeverinë aktuale. I pyetur nga gazetarët se pse mendon kështu, Basha theksoi se nëse qeveria “Rama” përgatit procesin për në Hagë, ky sipas tij, është një rrezik “kombëtar”, duke lënë të kuptohet indirekt se çdo procedurë për “Detin” duhet të bëhet pas zgjedhjeve të 25 prillit.
“Prej 10 vitesh pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi im ka qenë që çështja duhet të trajtohet në organet e drejtësisë ndërkombëtare. Sot Shqipëria ka nevojë urgjentisht të përgatisë fazën paraprake sepse kërkohet një punë shumë e madhe, për fat të keq nuk është momenti i përshtatshëm. 6 muaj përpara zgjedhjeve qeveria nuk ka legjitimitetin dhe shkallën e përgatitjes. Mund të përbëjë rrezik për interesat kombëtare nëse i lihet në dorë këtij kryeministri procesi i përgatitjes për çuarjen e çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare. Ky hap të ndërmerret nga një qeveri legjitime e dalë nga zgjedhjet legjitime dhe demokratike. Procesi i përgatitjes është jashtëzakonisht voluminoz në çdo aspekt të parapërgatitjes dhe dërgimit”, – deklaroi ai.
Pra, Basha kërkon të marrë sërish në dorë negociatat me Greqinë, pasi sipas tij, ajo duhet të firmoset nga një qeveri legjitime sikundër është ajo e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, të cilat do t’i fitojë PD dhe aleatët e saj.
Basha sfidon Ramën
Por kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë fjalës së tij ka sfiduar sërish kryeministrin Edi Rama, 6 muaj para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Teksa po komentonte ceremoninë e dhurimit të 60 respiratorëve nga NATO, si provë e paaftësisë së qeverisë, Basha theksoi se Rama është i vetmi lider që përdor PS në vendgrumbullimin e plehrave, referuar mbledhjes së dy ditëve më parë të PS në inceneratorin e Elbasanit. E më tej, Basha i kujtoi rivalit edhe humbjen e vitit 2011, kur Rama humbi betejën për drejtimin e Bashkisë Tiranë përballë tij.
“Nuk mbahet shtëpia me miell hua, se miellin e vjedh ai që është edhe për pak kohë i zoti i shtëpisë. Rama përdor forcën e tij politike si mburojë njerëzore në vendgrumbullimin e plehrave. E kuptoj nervozizmin e tij sepse e pret një humbje e madhe. Unë jam përballur me Ramën në 2011 dhe e kam mundur dhe e mund prapë, po të jetë për ego personale. Sa herë hap konflikt, fut duart në xhepat e shqiptarëve. Sa herë bën batuta dhe bën si klloun po planifikon vjedhjen e radhës. Është spektakli i ditës për të vjedhur bukën e ditës”, – u shpreh ai.
Më tej kryetari Basha ka deklaruar dje se raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka provuar se shteti shqiptar i ka braktisur qytetarët gjatë pandemisë.
“FMN, të dhëna tronditëse për braktisjen totale të shqiptarëve nga Edi Rama. FMN, Shqipëria ka investuar vetëm 0.86% të GDP për të përballuar pandeminë. FMN, Shqipëria e fundit në Europë për mbështetjen financiare për krizën shëndetësore e ekonomike. Edi Rama dhe qeveria e tij nuk i përgjigjen njerëzve dhe halleve të tyre pas pandemisë”, – nënvizoi Basha, ndërsa iu ilustroi gazetarëve edhe një grafik se sa para kanë dhënë vendet e tjera dhe sa ka dhënë qeveria shqiptare.
Superliga rikthehet në aksion me ndeshje interesante
Kurti vendos gurthemelin për ndërtimin e Sallës së Edukatës ...
Ukraina thotë se ka goditur një depo nafte dhe një stacion r...
Grafiti në “Car Lazar”, suspendohen gjashtë policisë për mos...
Aksidenti me fatalitet në Kaçanik, Policia jep detaje – ka r...
Kampusi i Kolegjit të Europës, Rama inspekton punimet